Një polic serb u vra dhe një tjetër u plagos mbrëmjen e së mërkurës në Lloznicë, në territorin e Serbisë në afërsi të kufirit me Bosnjë e Hercegovinën. Autoritetet policore serbe pretendojnë se në vendin e ngjarjes ne autoveturë është gjetur një pasaportë kosovare dhe një letërnjoftim gjerman në emër të Artan Hajrizit.

Ministri i Brendshëm i Serbisë, Ivica Daçiç, ka thënë se po punohet për të identifikuar nëse vrasësi i policit Nikolla Krsmanoviç në Lloznicë është personi të cilit iu gjetën dokumentet, Artan Hajrizi apo vëllai i tij Fatoni, i cili rezulton i arratisur nga burgu i Smrekonicës i Kosovës më 6 korrik. 

Deri më tani janë arrestuar dy shtetas serbë, shoferi i taksisë që autori i ngjarjes e mori për të udhëtuar nga Presheva në Lloznicë, si dhe bashkëshortja e tij, si bashkëpunëtore. Mediat serbe raportojnë se autori i dyshuar mund të jetë fshehur në Bosnje.

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç në reagimin e tij e ka cilësuar vrasjen e policit si një akt terrorist. Për ngjarjen ka folur edhe kryeministri Albin Kurti, i cili ka kërkuar që të mos politizohet.

Artan Harizi nga ana e tij ka deklaruar në stacionin policor në Gjermani se nuk ka lidhje për ngjarjen dhe dokumentet gjermane janë vjedhur nga vëllai i tij disa ditë më parë gjatë qëndrimit në shtëpinë e tij. Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës u ka bërë thirrje qytetarëve të Kosovës që të shmangin udhëtimet nëpër territorin e Serbisë.

Tv Klan