Presidenti serb Aleksandar Vuçiç mohoi që Serbia të ketë marrë vendim për shpalljen e pushtimit të një pjese të territorit të Kosovës, duke u dhënë fund dilemave të ditëve të fundit.

Në një dalje para popullit të tij, Vuçiç sqaroi se kjo do të nënkuptonte që Serbia do të njihte territorin e Kosovës si territor të një shteti tjetër dhe do të njihej statusi ligjor i FSK.

“Nuk kemi marrë vendim për pushtimin. Ekspertët tanë ligjorë kanë qenë kundër. Nuk duhet t’u japim statusin e forcës së armatosur legale ushtrisë së Kosovës. Ne nuk do t’u japim ligjshmëri, sepse ata nuk e kanë. Shpallja e pushtimit konsiderohet vepër penale në Kodin Penal të Serbisë. Ne nuk duam ta zhdukim Kosovën, por të ndihmojmë popullin tonë dhe ndaj po e bëjmë të gjithë këtë. Ne nuk duam luftë, ne duam t’i realizojmë të drejtat tona në paqe”.

Sipas Vuçiç, rikthimi i veriut të Kosovës në gjendjen e mëparshme shihet si rrugë për tejkalimin e situatës së krijuar nga ato që ai i cilësoi, synim të Prishtinës për përndjekjen e popullsisë serbe. Ndaj ai theksoi 7 masat që Serbia ka vendosur si kusht për vijimin e dialogut me Kosovën.

“Kërkojmë shpalljen dhe mbajtjen e zgjedhjeve lokale të lira dhe demokratike në veriun e Kosovës, me pjesëmarrjen e misionit të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë dhe mbikëqyrjen e Bashkimit Evropian. Kthimin e serbëve në Drejtorinë Rajonale të Policisë së Kosovës për veriun dhe kthimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve serbë në funksionet e tyre gjyqësore. Tërheqjen e forcave të posaçme të Policisë së Kosovës nga veriu dhe formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe”.

Ndër këto kërkesa ai përmendi edhe “lirimin e menjëhershëm të të gjithë të burgosurve politikë” të arrestuar nga Policia e Kosovës, dhe “kryerjen e pagesave dhe shërbimeve postare me valutën serbe”.

Vuçiç njoftoi se parlamenti Serbisë do të miratojë një ligj brenda 45 ditësh për të shpallur Kosovën “zonë të mbrojtjes së veçantë sociale, duke garantuar kështu të drejtën për mbështetje financiare për të papunët”.

Ai tha se “institucionet serbe” në Kosovë që u mbyllën nga autoritetet e Prishtinës, “nuk do të shfuqizohen apo mbyllen” dhe pranë kufirit me Kosovën, do të hapen zyra ku serbët e veriut të Kosovës do të kenë qasje në shërbimet e mbrojtjes sociale dhe që ato do të ofrojnë shërbime vitale shtetërore dhe administrative për qytetarët.

Presidenti serb paralajmëroi edhe themelimin e prokurorisë që posaçme “që do të ndjekë të gjithë ata që kryejnë përndjekjen e serbëve në Kosovë, përfshirë serbët që punojnë për shërbimin shqiptar”.

Presidenti serbi njoftoi se Beogradi do të nisë një “fushatë globale diplomatike” për të arritur plotësimin e kërkesave që kanë të bëjnë me atë që sipas tij është arritur në bisedimet e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian.

Klan News