Fredi Rrushi dhe i vëllai Pajtim Rrushi kanë qëndruar të heshtur para gjykatës 

Dy vëllezërit Fredi Dhe Pajtim Rrushi janë përballur me gjykatën për caktim të masës së sigurisë. Fredi Rrushi akuzohet nga prokuroria për rrëmbimin, vrasjen dhe zhdukjen e kufomës së biznesmenit Ruzhdi Hoxha. Ndërsa i vëllai Pajtimi dyshohet se ka fshehur makinën tip “Passat” të të vëllait që dyshohet se e përdori për vrasjen.

Gjatë seancës ata nuk kanë pranuar që të japin asnjë lloj shpjegimi në lidhje me akuzat e prokurorisë.  Në dëshmitë përballë hetuesive ata kanë mohuar që të kenë lidhje me ngjarjen. Gjykata pasi dëgjoi palët caktoi masën e sigurisë arrest në burg për dy vëllezërit. 

Ruzhdi Hoxha humbi kontaktet me familjarët në orët e para të mëngjesit të datës 21 Tetor. Ndërsa trupi i pajetë u gjet në Qafë-Mollë i mbuluar me zhavorr dhe gurë më datë 6 Nëntor.  Mister mbetet motivi i ngjarjes dhe po ashtu enigma është edhe vendi ku është fshehur automjeti tip “Passat” ngjyrë gri, që u përdor nga Fredi Rrushi në vrasjen e shokut të tij 43-vjeçarit Ruzhdi Hoxha.

Ky mjet, nuk rezulton që të jetë në pronësi të Fredi Rushit, por ky i fundit kishte një akt-noterial përdorimi gjatë dy viteve të fundit. Gjetja e këtij mjeti është e rëndësishme për grupin hetimor, pasi dyshohet se brenda makinës është vrarë me dy plumba 43-vjeçari Hoxha.

Klan News