Autori qëllon veten gjatë aksionit nga RENEA për kapjen e tij

Një efektiv policie mbeti i vrarë me armë zjarri në Ishull Lezhë, rreth orës 10:30 të kësaj të marte. Viktima është 44-vjeçari Saimir Hoxha, me detyrë oficer i Krimeve në Komisariatin e Policisë Lezhë.

Ai ishte pjesë e patrullës që kontrollonte për kultivimin e kanabisit në zonë, kur u qëllua për vdekje nga autori i dyshuar i ngjarjes së rëndë, 21-vjeçari Aldi Rama.

Oficeri i policisë Saimir Hoxha, 44 vjeç

Efektivi 44-vjeçar, baba i dy fëmijëve, mori një plumb në zemër dhe ndërroi jetë gjatë rrugës për në spitalin Rajonal Lezhë.

Aldi Rama pas ngjarjes është larguar dhe është fshehur në një zonë të pyllëzuar, ku për 5 orë arriti që të qëndronte në arrati. Gjatë kësaj kohe, Rama nuk ka pranuar të dorëzohet pavarësisht thirrjeve të shumta nga efektivët e policisë.

Për të shpëtuar nga arrestimi, ai tentoi të vetëvritej, duke qëlluar veten, por fatmirësisht është ende gjallë. I riu, pasi u neutralizua, u dërgua për ndihmën e parë në spitalin e Lezhës dhe më pas në Spitalin e Traumës në Tiranë.

Burime bëjnë me dije se Aldi Rama është gjendje kritike për jetën dhe tashmë ndodhet në sallën e operacionit, ku po i nënshtrohet një ndërhyrje kirurgjikale.

Një plumb në zemër i mori jetën, si ndodhi ngjarja e rëndë ku u vra polici. Zbardhet dinamika

Grupi i policisë së Lezhës po bënte një kontroll në Ishull Lezhë, në zonën e mbrojtur Laguna e Vainit, kur ka pikasur një automjet të dyshimtë.

Grupi i policisë prej 3 vetash, e ka ndalur automjetin, ndërsa menjëherë ka ndodhur edhe shkrepja e armës, ku një plumb në zemër është qëlluar drejt oficerit të Krimeve Saimir Hoxha, 44 vjeç, i cili është nisur menjëherë për në spital, por ka ndërruar jetë.

Autori i dyshuar i vrasjes është Aldi Rama, 21 vjeç, i dënuar më parë për prodhim dhe shitje të narkotikëve dhe mbajtje pa leje të armëve të ftohta. Ai është larguar me automjet nga vendngjarja dhe vijon puna intensive për lokalizimin dhe kapjen e tij.

Aktualisht forca të shumta të policisë, RENEA-s e FNSH janë në terren.

Policia: Ky është Aldi Rama, që vrau efektivin në Lezhë. 21-vjeçari i dënuar më parë për drogë

Aldi Rama është shpallur në kërkim nga Policia e Shtetit, si autor i dyshuar i vrasjes së oficerit të policisë Saimir Hoxha, 44 vjeç, në Ishull Lezhë.

Në foto Aldi Rama, 21 vjeç, autori i dyshuar i vrasjes

Policia Lezhë-Informacion shtesë

Në vijim të informacionit paraprak, falë veprime të shpejta hetimore u bë i mundur identifikimi i autorit të dyshuar të vrasjes së oficerit të Policisë në Komisariatin e Policisë Lezhë.

Autori i dyshuar është shtetasi Aldi Rama, 21 vjeç, i dënuar më parë për prodhim dhe shitje të narkotikëve dhe mbajtje pa leje të armëve të ftohta, i cili është larguar me automjet nga vendngjarja. Vijon puna intensive për lokalizimin dhe kapjen e tij.

Grupi i posaçëm hetimor ndodhet në vendngjarje dhe nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Lezhë vijon punën për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë ligjor të kësaj ngjarjeje kriminale.

Vrasja e oficerit në Lezhë ngre në këmbë policinë, kontrolle masive për kapjen e 21-vjeçarit Aldi Rama

Vrasja e oficerit të Krimeve në Lezhë, 44-vjeçarit Saimir Hoxha, ka ngritur në këmbë Policinë e Shtetit. Me qëllim kapjen e autorit të dyshuar të kësaj ngjarjeje të rëndë, 21-vjeçarit Aldi Rama, pika kontrolli janë ngritur jo vetem në Lezhë, por dhe në disa drejtori të tjera, mes tyre edhe Tirana.

Ata po kontrollojnë çdo automjet që dyshohet se eshte larguar autorit, por dhe makina të tjera.

Ndërkohë, policia ka izoluar zonën ku ndodhi ngjarja dhe kontrolli po bëhet edhe me helikopter. Burime thonë se ka dyshime që 21-vjeçari mund të ndodhet pranë vendit të krimit.

Oficeri i policisë Saimir Hoxha kishte dalë për kontroll të territorit për parandalimin e kultivimit të bimëve narkotike, kur në drejtim të tij u qëllua me armë zjarri, në rrethana ende për t’u sqaruar.

Ai mbeti fillimisht i plagosur, por ndërroi jetë gjatë rrugës për në spital.

Policia e Shtetit tha zyrtarisht se autori i dyshuar i kësaj ngjarjeje Aldi Rama, 21 vjeç, rezulton i dënuar më parë për prodhim dhe shitje të narkotikëve dhe mbajtje pa leje të armëve të ftohta.

Policia kërkon ndihmën e qytetarëve: 20 mijë euro kush jep informacion për vendndodhjen e Aldi Ramës

Policia e Shtetit: Shërbimet e Policisë po vijojnë kontrollet intensive me pika kontrolli të lëvizshme, kontrolle në banesa, lokale e ambiente të ndryshme, si dhe po vijon krehja masive e territorit, për të bërë të mundur kapjen e autorit të dyshuar të vrasjes së oficerit të Policisë, i cili ishte duke kryer detyrën.

Krahas punës intensive për kapjen e autorit, Policia e Shtetit kërkon ndihmën dhe bashkëpunimin e qytetarëve, për të bërë të mundur lokalizimin dhe kapjen e tij.

Për çdo informacion të vlefshëm që do çojë në lokalizmin dhe kapjen e autorit, shtetasit Aldi Rama, 21 vjeç, Policia e Shtetit ka vënë në dispozicion 20 mijë euro, duke iu garantuar anonimat të plotë dhe të sigurt.

Për informacione të vlefshme, qytetarët të telefonojnë në numrin 0694110853.

Tvklan.al ndjek Live operacionin për kapjen e Aldi Ramës

Forca të shumta policie, RENEA, FNSH, snajperistë dhe helikopterë prej orësh tashmë vijojnë kontrollet masive në Lezhë, aty ku paraditen e kësaj të marte, një oficer policie mbeti i vrarë.

Tvklan.al ndodhet në terren dhe prej orësh tashmë po ndjek këtë operacion, për kapjen e 21-vjeçari Aldi Rama. I riu është autori i dyshuar i vrasjes së oficerit 44-vjeçar Saimir Hoxha.

Për kapjen e tij, Policia e Shtetit ka vënë po ashtu në dispozicion një shumë prej 20 mijë eurosh, për këdo që mund të ndihmojë në arrestimin e të riut.

Vrasja e policit në Lezhë, reagon Presidenti Meta

“Thellësisht i tronditur nga ngjarja tepër e rëndë e vrasjes, në krye të detyrës, të zyrtarit të lartë të Policisë së Shtetit, Saimir Hoxha, gjatë një operacioni kundër kultivimit të lëndëve narkotike në zonën e Lezhës.Në këto momente të vështira bashkëndaj dhembjen dhe ju shpreh ngushëllimet më të thella familjes, kolegëve dhe të gjithë punonjësve të Policisë së Shtetit!Nxis organet ligjzbatuese, në veçanti Prokurorinë për hetimin e rrethanave dhe intensifikimin e përpjekjeve për kapjen sa më parë të autorëve të këtij akti kriminal, për t’i nxjerrë ata para drejtësisë dhe dhënien e një ndëshkimi të ashpër ligjor.Lufta kundër krimit të organizuar, trafikut të drogës dhe kanabizimit të Shqipërisë, që ka dëmtuar seriozisht vitet e fundit imazhin e vendit dhe ka marrë aq shumë jetë njerëzish, duhet të jetë një prioritet absolut dhe të mbështetet nga të gjithë!“

Vrasja në detyrë e oficerit të policisë, reagon PD

Alibeaj: Tragjedi e paralajmëruar pasi policët e ndershëm janë braktisur nga shteti i gjunjëzuar nga krimi. Ngushëllime familjes së nën/komisar Saimir Hoxhës

I shprehim ngushëllimet tona familjes së nën/komisarit të policisë, Saimir Hoxha, të vrarë sot në detyrë, teksa kontrollonte për kanabis në zonën e mbrojtur të Kune-Vainit.

Fatkeqësisht kjo është një tragjedi e paralajmëruar, sepse prej vitesh punonjësit e policisë që shërbejnë me ndershëmri në mbrojtje të rendit dhe sigurisë janë braktisur nga shteti i gjunjëzuar përpara krimit, i cili është në revansh për shkak të modelit të bashkëpunimit me krimin të frymëzuar nga ky regjim i korruptuar. 

Prej vitesh, Shqipëria e sunduar nga Edi Rama është kthyer në vendin kryesor të prodhimit të kanabisit në Europë, pasojat e këtij vullneti të mbrapshtë politik janë shkatërruese për shoqërinë dhe institucionet tona.

Që krimi të mos guxojë, që rendi dhe siguria të kthehet në normalitet, zgjidhja që kemi përpara është vetëm një, ndarja përfundimtare e politikës nga krimi dhe ndëshkimi i modelit të ndërtuar nga Edi Rama, i cili ka shkaktuar dhe shkakton vetëm dhimbje dhe pasiguri në familjet shqiptare!

Vrasja e oficerit të policisë, reagon Ministri Çuçi: Dora e zezë që shtiu kundër tij do të marrë ndëshkimin më të ashpër sipas ligjit

Reagim i ministrit të Brendshëm, Bledi Çuçi: I tronditur nga lajmi i kobshëm i vrasjes së oficerit të Policisë së Shtetit në Lezhë, Saimir Hoxha. Nuk ishte dashur që Policia e Shtetit të kishte një tjetër dëshmor në luftën e saj të vazhdueshme me paligjshmërinë. Dora e zezë që shtiu kundër tij do të marrë ndëshkimin më të ashpër sipas ligjit. Policia e Shtetit po bën gjithçka duhet në një operacion të gjerë për kapjen e autorit. Sado të kërkoj me kujdes fjalët për të shprehur ngushëllim për familjen Hoxha, zor se mund të gjej të atë të duhurën për të zbutur sadopak peshën e rëndë të këtij akti kriminal. Kurajo dhe forcë brenda vetes! Lufta me krimin është e vazhdueshme dhe kurrsesi që ne nuk do të dorëzohemi përballë askujt. Kurrë!

Ambasadorja Yuri Kim reagon për vrasjen e oficerit të policisë

Për ngjarjen e rëndë ku mbeti i vrarë oficeri i policisë Saimir Hoxha, ka reaguar edhe ambasadorja e SHBA në vendin tonë, Yuri Kim.

“Ngushëllimet më të ndjera për familjen dhe kolegët e oficerit të Policisë së Shtetit, i cili mbeti i vrarë në krye të detyrës. Policia përballet me rrezikun në emër të qytetarëve dhe ne u jemi mirënjohës për heroizmin e tyre. Shpresojmë që autorët të dalin para drejtësisë“, shkruajti Kim në një postim në Twitter.

Vetëqëllohet me armë Aldi Rama, autori i dyshuar i vrasjes së oficerit të policisë

Aldi Rama, 21-vjeçari i cili vrau me armë zjarri efektivin e policisë Saimir Hoxha, është vetëqëlluar me armë. Zyrtarisht policia bën me dije se 21-vjeçari është në gjendje kritike për jetën.

“Në lidhje me ndjekjen, lokalizmin dhe kapjen e autorit të vrasjes së oficerit të Policisë, forca të shumta të Policisë së Shtetit, prej disa orësh ndjekjeje me helikopter dhe nga toka, kanë bërë të mundur lokalizimin e autorit të ngjarjes, i cili ishte fshehur në zonën e kënetës në “Lagunen Vain”. Forcat e Policisë kanë krijuar perimetrin e sigurisë dhe i kanë bërë thirrje autorit që të dorëzohej, por autori i ngjarjes, shtetasi Aldi Rama nuk i është përgjigjur thirrjes së Policisë për t’u dorëzuar, por është vetëplagosur me armën e tij. Aktualisht po transportohet nga forcat e Policisë për në spital, në gjendje kritike për jetën. Në vendngjarje është sekuestruar arma e krimit dhe telefoni i tij celular”, thotë Policia e Lezhës në njoftimin e saj për mediat.

Këtu ishte fshehur Aldi Rama përpara se të kapej nga policia

Aldi Rama, 21-vjeçari që akuzohet se vrau oficerin e Policisë së Lezhës, Saimir Hoxha, tashmë ndodhet i plagosur dhe në gjendje kritike për jetën.

Prej disa orësh ai qëndronte i fshehur mes bimësisë që shihet në videon e siguruar nga tvklan.al. Siç shihet dhe nga pamjet, Rama është fshehur në këtë zonë të pyllëzuar në përpjekje për t’i shpëtuar forcave të rendit.

Por tentativa e tij për arratisje është ndërprerë, pasi ai u rrethua nga forca të shumta policie dhe tentoi të vetëvritej me armë.

Tashmë i riu ndodhet në gjendje kritike për jetën dhe mjekët japin pak shpresa për të.

I rrethuar me forca të shumta policie, momenti kur Aldi Rama mbërrin në spitalin e Lezhës

Ky është momenti kur Aldi Rama, që qëlloi për vdekje policin Saimir Hoxha, mbërrin në spitalin e Lezhës.

Në gjendje kritike për jetën, Rama është transportuar nga vendi u kap i vetëplagosur dhe është dërguar në urgjencën e Lezhës për mjekim të specializuar.

Siç shihet nga pamjet, spitali i Lezhës është nën masa të rrepta sigurie. Mësohet se pas një kontrolli në këtë spital ai është nisur drejt Tiranës për tek Spitali i Traumës për mjekim më të specializuar.

Aldi Rama mbërrin tek Trauma, spitali nën masa të rrepta sigurie

Aldi Rama pas marrjes së ndihmës së parë në spitalin e Lezhës, ka mbërritur tek Trauma në gjendje kritike për jetën.

Sipas informacioneve, mësohet se Rama do t’i nënshtrohet një operacioni pasi plumbin e ka marrë në kokë.

Siç shihet dhe nga foto, spitali i Traumës është nën masa të rrepta sigurie. Dhjetëra forca policie kanë rrethuar spitalin, ndërsa i riu tashmë ndodhet në sallën e operacionit.

Vrasja e efektivit, ministri Çuçi: Saimir Hoxha do të shpallet “Dëshmor i Atdheut”

Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi ka reaguar sërish për ngjarjen e rëndë të ndodhur sot në Lezhë, ku humbi jetën një efektiv policie.

Çuçi në fjalën e tij u shpreh se Komisioni Qendror i Statusit “Dëshmor i Atdheut” ka nisur procedurat për shpalljen e oficerit Saimir Hoxha, “Dëshmor i Atdheut” duke i garantuar familjes së tij të gjithë vëmendjen dhe mbështetjen e dhënë me ligj të posaçëm.

Fjala e plotë e ministri Blendi Çuçi:

Jam në ketë komunikim, në një orë të pazakontë, pasi siç jeni në dijeni, paraditen e sotme në Ishull Lezhë, ra në krye të detyrës oficeri i Policisë së Shtetit, Saimir Hoxha. Nënkomisar Saimir Hoxha ishte pjesë e grupit të kontrollit të territorit, për evidentimin dhe asgjësimin e lëndëve narkotike.

Autori i ngjarjes, Aldi Rama, një i ri i dënuar më herët në fushën e narkotikëve, u neutralizua pas disa orësh rrethim nga forcat speciale të policisë.

Grupi i posaçëm hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë po vijon hetimet intensive për zbardhjen dhe dokumentimin e gjithë detajeve të kësaj ngjarje të rëndë, që ka prekur dhe shokuar mbarë opinionin publik.

Përfitoj nga kjo dalje publike, t’u shpreh edhe njëherë ngushëllimet më të thella familjes së të ndjerit, miqve dhe kolegëve të tij.

Komisioni Qendror i Statusit “Dëshmor i Atdheut” ka nisur procedurat për shpalljen e oficerit Saimir Hoxha, “Dëshmor i Atdheut” duke i garantuar familjes së tij të gjithë vëmendjen dhe mbështetjen e dhënë me ligj të posaçëm.

Po kështu me këtë rast, inkurajoj fort gjithë trupën e Policisë së Shtetit dhe i shpreh mbështetjen time të pakufishme, dhe në emër të qeverisë shqiptare, për të vijuar me vendosmëri betejën e përditshme me krimin, i çfarëdolloji qoftë ai.

Dua të shpreh vetëm respekt e mirënjohje për të rënin në krye të detyrës, me premtimin se nuk do të ndalim asnjë moment të vëmë para drejtësisë këdo që guxon të ngrejë dorën e krimit mbi Policinë.

Ngjarje si kjo e sotmja, vërtet krijojnë dhimbje dhe indinjatë në zemrën e çdo shqiptari, por kurrsesi nuk na zmbrapsin apo dekurajojnë në luftën kundër paligjshmërisë. As mua si Ministër i Brendshëm dhe as trupën e Policisë së Shtetit./tvklan.al