Kreu i LSDM-së kërkon edhe votën e shqiptarëve në zgjedhje

Ish-Kryeministri dhe lider i Lidhjes Socialdemokrate të Maqedonisë, Zoran Zaev, është i bindur se nga posti i të parit të koalicionit qeverisës, i ka shërbyer me nder vendit të tij duke zhbllokuar përfundimisht, pas rreth tri dekadash, procesin e integrimit euro-atlantik i cili ishte peng i mosmarrëveshjeve me Greqinë për shkak të emrit të Maqedonisë, i papranueshëm për Athinën zyrtare.

Duke folur në emisionin Klan Debat të Seladin Xhezairit, zoti Zaev tha se kur më 2018 u firmos Marrëveshja e Prespës ai dhe homologu i tij grek Alexis Tsipras, kishin qenë të vetëdijshëm se mund të paguanim çmim.

“A thua më e vlefshme është karriera jonë politike dhe e ardhmja jonë polike sesa e ardhmja e të rinjve, e fëmijëve, e gjeneratave që vijnë”, pyeti Zaev duke vlerësuar se pa Marrëveshjen e Prespës dhe pa Traktatin e Miqësisë me Bullgarinë fqinje, aderimi në NATO dhe në Bashkimin Evropian do të mbetej vetëm ëndërr.

Zaev ka shprehur bindjen se qeveria teknike do t’ia dalë të mirëorganizojë zgjedhjet e 12 Prillit, por tërhoqi vërejtjen se një model të këtillë, për kapërcimin e përplasjeve politike, fjala vjen, nuk do t’ua rekomandonte politikanëve në Tiranë.

“Është pengesë, këto zënka, , pushtet dhe opozitë, ministër teknik i Punëve të Brendshme dhe i Punës dhe Politikës Sociale me pjesën tjetër të Qeverisë që mbështet nga shumica parlamentare, më shumë shkakton probleme sesa zgjidhje”.

Zoran Zaev thotë se ai dhe partia e tij edhe për këto zgjedhje do të kërkojnë votat e shqiptarëve. Thotë se me gjithë rezervat, pret që mbështetja të rritet në raport me zgjedhjet e fundit.

“Shikoj se tek popullata shqiptare ekziston një rezervë, a të votohet apo jo, kështu thuhet disi. Unë e respektoj këtë, kjo jeton, kjo rritet, kjo zhvillohet, por luftojmë. Për mua ekzistojnë qytetarët. Nuk ekzistojnë maqedonas, shqiptarë, turq, serbë, romë, boshnjakë, ekzistojnë qytetarët, ata janë të njëjtë”.

Në emisionin Klan Debat, ish-Kryeministri Zoran Zaev, shprehu bindjen se kjo legjislaturë parlamentare do t’ia dalë të krijojë shumicën e dy të tretave për të miratuar ligjin për Prokurorinë Publike në mënyrë që shpresa për marrjen e datës së fillimit të bisedimit për anëtarësim me të drejta të plota në BE, të jetë më e kapshme.   

Klan Macedonia