Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka paralajmëruar opozitën se nëse Partia Demokratike vijon të bojkotojë Komisionin për Reformën Zgjedhore deri më 30 nëntor, mazhoranca do të depozitojë në Kuvend propozimet e saj për ndryshimet në Kodin Zgjedhor.

Gjatë diskutimeve, Balla hodhi poshtë pretendimet e PD-së për anashkalimin e rekomandimeve të OSBE-ODIHR, duke i cilësuar ato si një “teatër” që, sipas tij, vijon prej më shumë se një dekade. Ai theksoi se janë katër rekomandime kryesore që presin zgjidhje, ndërsa nënvizoi se nuk ka më kohë për zvarritje të procesit.

Balla përmendi ndër të tjera financimin e partive politike, rregullimin e mbulimit mediatik gjatë fushatave zgjedhore dhe garantimin e ndarjes së shtetit nga zgjedhjet, duke shtuar se mazhoranca ka edhe propozime të saj, përfshirë rikthimin e numërimit të votave në qendrat e votimit.

“Ju jeni dëshmitarë se si ky komision është në detyrë prej më shumë se një viti. I është zgjatur mandati 5 muaj më parë për të përfunduar mandatin e vet në 30 nëntor. Kur i kemi zgjatur mandatin këtij komisioni, i kemi bërë të ditur PD-së që teatrin e mbajtur prej më shumë se një dekade, të të mbajturit peng të detyrimeve të Shqipërisë që lidhen me rekomandimet e OSBE/ODIHR. Po e citoj, janë katër rekomandime bazë, presin prej kaq vitesh.

Prej vitit 2020 ka një dakordësi mes dy blloqeve kryesore politike, zgjidhja është aty dhe duhet ta miratojnë. Çështja tjetër lidhet me financimin e partive politike, puna është bërë prej shumë vitesh gati, duhet vetëm ta çojnë për miratim në seancë. E treta lidhet me mediat dhe me gjithë rregullimin se si mediat mbulojnë dhe transmetojnë fushatën zgjedhore dhe e katërta që ne mund ta zgjidhim edhe me një ndërhyrje në akte nënligjore, në Këshillin e Ministrave, për të parandaluar çdo lloj forme të përfshirjes së administratës në fushatën zgjedhore dhe atë që është thënë shpesh ndarjen e shtetit nga zgjedhjet për të garantuar një paanshmëri të plotë. PD duhet ta ketë shumë të qartë, koha kur PD kishte në mënyrë ekskluzive bllokimin e komisioneve të posaçme të Reformës Zgjedhore përfundon më 30 nëntor.

Nëse deri më 30 nëntor PD nuk vjen në komision për të punuar së bashku… Në vdekje e sipër PD hedh shashka nga më të ndryshmet, por megjithatë ne i marrim seriozisht edhe shashkat e tyre dhe alibitë e tyre dhe duam që t’i diskutojmë. Nuk pse ta braktisësh komisionin me një të drejtë që ta kemi dhënë ne, të drejtën e vetos.

PD t’i sjellë të gjitha propozimet në komision por bojkoti i komisionit me një të drejtë që ta kemi dhënë ne… dua t’i them PD që ne do t’i japim Shqipërisë mundësinë që të zhvillojë zgjedhjet e 9 majit që edhe bashkitë që u bashkuan të kenë anëtarët e vet në këshillat bashkiakë. PD duhet të kuptojë që edhe ne kemi pasur disa propozime, si rikthimi i numërimit në qendrat e votimit. Nëse PD nuk do të vijë në komision deri më 30 nëntor, mos të habitet kur të çojmë propozimet tona në Kuvend”, tha Balla.

/tvklan.al