Situata e emergjencës vazhdon në jugperëndim të Francës, ku zjarri gjigant në bregdetin e Atlantikut po arrin tashmë në qytetin e Bordosë për shkak të erërave që fryjnë drejt brendësisë së vendit, shkruan Corriere Della Sera.
Gjatë natës, ministri Sébastien Lecornu njoftoi dërgimin e 1,5 milionë maskave FFP2 (të llojit të përdorur gjatë periudhës së Covid-it) “për të mbrojtur ekipet e shpëtimit dhe popullsinë e ekspozuar ndaj tymit të dëmshëm për shëndetin”, si dhe dërgimin e 500 ushtarëve të tjerë duke e çuar totalin në 1000 krahas urdhrit për dislokimin e avionit ushtarak A400M në rajonin e Gironde-s.
Gjatë natës, autoritetet u kërkuan banorëve të shtatë qytezave në periferi të metropolit të largoheshin nga shtëpitë e tyre; flakët ndodhen tashmë vetëm pak kilometra larg qytetit të madh, ku tymi dhe era e djegies po ndotin ajrin.
Ndërkohë, situata mbetet kritike edhe në Spanjë, ku flakët kanë përfshirë rajonin e Madridit. Si në Francë ashtu edhe në Spanjë, numri i personave të detyruar të braktisin shtëpitë ose vendet turistike ku po kalonin pushimet ka arritur në rreth 260,000.
Në Francë, shërbimi publik i informacionit rrugor “Bison Futé” u bën thirrje drejtuesve të mjeteve që të shmangin departamentin e Gironde-s dhe t’i lënë rrugët të lira për shërbimet e urgjencës.
Aeroporti i Bordeaux-Mérignac mund të mbyllet në orët në vijim dhe Ministri i Transportit, Philippe Tabarot, ka njoftuar se i ka kërkuar kompanisë SNCF të “zbatojë një masë të jashtëzakonshme që do t’u mundësojë udhëtarëve që nisen drejt rajonit të Bordeaux-it dhe zonave të prekura nga zjarret, t’i shtyjnë ose t’i anulojnë udhëtimet e tyre pa kosto shtesë”.
Flakët tashmë ndodhen pranë periferisë së Bordeaux-it: shtatë vendbanime në zonën përreth u evakuuan mëngjesin e sotëm.
Presidenti Emmanuel Macron i bëri thirrje ushtrisë që “të mobilizohet për të ofruar mbështetje maksimale për mbrojtjen civile” dhe, në përfundim të një takimi të zhvilluar vonë në mbrëmje në Ministrinë e Brendshme, ministri Lecornu njoftoi mbërritjen e forcave shtesë për të ndihmuar 1700 zjarrfikësit.
Disa mijëra nga 140,000 personat e evakuuar në rajonin e Gironde-s po strehohen në qendrën e konferencave të Bordosë, e cila është shndërruar në një kamp pritjeje me shtretër të improvizuar dhe kuti me ushqime e veshëmbathje.
Bashkia ka vënë në dispozicion një numër telefoni pa pagesë (0800 006 090, vetëm për thirrje nga Franca) për banorët që dëshirojnë të ndihmojnë të zhvendosurit, duke specifikuar se nevojat parësore janë: paravane, batanije, shtretër të palosshëm, ujë, produkte higjienike (xhel dushi, sapun, peceta higjienike), pelena, peceta të lagura, shishe, qumësht formule për foshnja, veshëmbathje, si dhe për kafshët: kafaze, zinxhirë, enë ushqimi, ushqim për qen e mace dhe kuti rëre.
Përveç zjarrit masiv në Gironde, të tjerë po përhapen me shpejtësi në zonën fqinje të Landes, gjithashtu në jugperëndim të Francës, si dhe në rajonin e Var-it, jo larg Marsejës, dhe në Korsikë.
Zjarrfikësit e përshkruajnë situatën si të vështirë për t’u kontrolluar, pasi nuk arrijnë t’i shuajnë vatrat me flakë që kalojnë 10 metra lartësi, të cilat hedhin prush (shpesh kone pishe) në distanca mbi një kilometër, duke shkaktuar zjarre të reja.
Në kanalin informativ BFMTV, Sébastien Berger nga sindikata UNSA Pompiers thotë se kushtet e punës janë “katastrofike” për ekipet e shpëtimit në terren. “Zjarri është i pakontrollueshëm për shkak të erërave, por edhe të thatësirës së ditëve të fundit dhe gjendjes së mjerueshme të bimësisë.”
Zjarrfikësit përballen me “riaktivizim të zjarreve që nuk mund të mbahen nën kontroll, sepse trupi i njeriut ka nevojë për pushim. Edhe nëse punojmë më shumë se 14 orë në ditë, duhet të flemë. Dhe edhe nëse flemë vetëm dy orë, ndërkohë zjarri mund të rindizet.”
Situata në Spanjë
Ndërkohë, zjarret po shkatërrojnë edhe Spanjën, veçanërisht rajonin e Madridit. Qeveria ka shpallur gjendjen e emergjencës kombëtare dhe dje flakët detyruan evakuimin e një kompleksi të NASA-s, i cili përbëhet nga disa antena gjigante të Rrjetit të Hapësirës së Thellë (Deep Space Netëork), që mban lidhjet me anijet kozmike të angazhuara në eksplorimin e hapësirës së thellë.
Situata mbetet “komplekse”, deklaroi kryeministri Pedro Sanchez: “Prioriteti është shpëtimi i jetëve.” Këtë mëngjes, Sanchez vizitoi zonën e shkatërruar nga flakët, të cilat kanë djegur tashmë 25,000 hektarë (mbi 63,000 njerëz janë evakuuar). “Nuk e dimë se si do të ndryshojë era, pavarësisht rënies së temperaturave,” tha Sanchez, duke përsëritur thirrjen e tij për një “pakt kombëtar kundër emergjencës klimatike.”
Zjarret, sipas gazetës El País, mbeten aktive dhe jashtë kontrollit. Gjatë natës, ato u përhapën “shumë pak dhe humbën intensitetin,” sipas Ministrisë së Brendshme, por forcimi i erërave gjatë ditës po shkakton shqetësim. “Nuk e dimë se si do të ndryshojë era, pavarësisht rënies së temperaturave,” tha Sanchez.
Kryeministri u kërkoi qytetarëve të “pranojnë dhe kuptojnë” se ndryshimet klimatike po shkaktojnë zjarre pyjore gjithnjë e më të rënda dhe intensive, të cilat madje po “tejkalojnë parashikimet shkencore.”
/tvklan.al












Botërori 2026 
