Platforma “Liria ka emër” ka ftuar për marsh më 1 tetor në Prishtinë, në mbështetje të katër udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që javën e shkuar u dënuan me 81 vjet burgim për krime lufte.
Kjo platformë ka bërë të ditur po ashtu se do të iniciohet një peticion qytetar për ta dërguar simbolikisht në Bruksel, Strasburg e Hagë, si shprehje e qëndrimit qytetar.
Të dyja do të bëhen nën moton “Jo në emrin tim”.
“Kërkojmë krijimin e menjëhershëm të një koordinimi institucional dhe kombëtar me përgjegjësi të qarta dhe me plan konkret veprime”, tha përfaqësuesi i platformës ‘Liria ka emër’, Ismail Tasholli.
Profesori i shkencave politike dhe analisti Dritëro Arifi, ka kritikuar institucionet e Kosovës për mungesën e veprimeve institucionale pas vendimit të Gjykatës Speciale në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së. Sipas tij vendi është shndërruar në një shtet jofunksional. Ka thënë se protestat shprehin revoltën, por nuk zëvendësojnë vendimmarrjen institucionale.
“Me tu dënuar historia, lufta, shtetësia është diçka që është përtej partive politike. Këtu s’ka parti politike. Unë i shoh 100 deputetë shqiptarë të paaftë me komunikuar, të paaftë me e kuptu çka ka ndodhur dhe të paaftë me marrë një vendim”, tha analisti Dritëro Arifi.
E ministrja e Tregtisë Industrisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari Lila, ka thënë se hapat e radhës lidhur me vendimin dënues ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë duhet të jenë të menduar mirë dhe të dakorduar ndërmjet të gjitha niveleve.
Ajo ka thënë se qëllimi duhet të jetë rritja e probabilitetit për lirimin e tyre dhe ka theksuar se duhet të ketë angazhim të plotë në të gjithat nivelet, edhe në atë politik ndërmjet partive opozitare, Qeverisë dhe Kuvendit.
/tvklan.al












Botërori 2026 