Pasi rrafshoi ishujt Karaibe, uragani Irma i është drejtuar fuqishëm Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ku autoritetet janë vënë në alarm maksimal.

Pasojat e urganit të kategorisë 5, më i fuqishmi që ka prekur Atlantikun, do të jenë më të rënda se parashikimet. Ishte kjo thirrja e Guverantorit të Floridas, Rick Scott, i cili këshilloi qytetarët të mos humbasin kohë e të largohen nga shtëpitë. Qytetarë të shumtë kanë rendur drejt supermarketeve të furnizohen përpara goditjes së uraganit. Edhe shtetet e Georgia-s dhe Karolinës së Veriut janë vënë në gjendje emergjente. Presidenti amerikan Donald Trump u shpreh tejet i shqetësuar, përpara erërave që, siç tha ai, nuk janë parë ndonjëherë.

Sipas OKB-së, 37 milionë njerëz janë në rrezen e rrezikut të “Irmës”, mes tyre mbi 10 milionë të mitur. Bilanci i viktimave aktualisht është 10 persona e disa dhjetëra të lënduar, mes tyre edhe një fëmijë.

Ishulli i vogël i Barbudas është shkatërruar totalisht. Po ashtu edhe ishulli francez Shën Martin.

Irma shënoi erëra mbi 300 km/h, ndërsa qendra e uraganeve lëshon alarmin se në gjurmët e saj është edhe stuhia tropikale Hosé, që po afrohet në Karaibet e gjunjëzuara nga Uragani më i fuqishëm në Atlantik.

Tv Klan