NATO zhvilloi Samitin e parë të saj me pjesëmarrjen e Presidentit amerikan, Donald Trump, idetë e të cilit për funksionimin e Aleancës kanë shqetësuar jo pak aleatët e tjerë.

Dhe ashtu si në deklaratat e mëparshme lidhur me mbrojtjen, Shefi i Shtëpisë së Bardhë u kërkoi vendeve anëtare të përmbushin detyrimet e tyre, për ta çuar buxhetin në të paktën 2 %, nivel që sërish duket i pamjaftueshëm.

“Anëtarët e NATO-s duhet të kontribuojnë me tarifat e tyre dhe të përmbushin detyrimet financiare. 23 nga 28 vendet nuk paguajnë atë që duhet të pagujanë për mbrojtjen e tyre. Kjo nuk është e drejtë për popullin dhe taksapaguesit amerikanë”.

Sipas raportit vjetor të NATO-s vetëm SHBA-të, Britania e Madhe, Greqia, Polonia dhe Estonia paguajnë detyrimin prej 2% të Prodhimit të Brendshëm Bruto.

Veç buxhetit, kryefjalë e Samitit ishte terrorimi. Presidenti Trump kërkoi angazhim të Aleancës në këtë luftë, përfshirë edhe betejën kundër ISIS në Siri, duke paralajmëruar se në të kundërt, horrori që u pa në Manchester, do të vazhdojë.

“Terrorizmi duhet të ndalet, ose horrori që patë në Manchester dhe në shumë vende të tjera do të vazhdojë përgjithmonë”.

Në konferencën për shtyp pas bisedimeve, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg hodhi poshtë zërat se Shtetet e Bashkuara nuk janë të angazhuara në detyrimet e aleancës.

I pyetur nga gazetarët për nenin 5 të Nato-s, për mbrotjen e plotë të çdo vendi anëtar, Stoltenberg tha se Presidenti Trump u ka dhënë mesazh të qartë aleatëve për angazhimin e Washingtonit në Aleancën Ushtarake. Shefi i NATO-s foli edhe për marrëdhëniet me Rusinë, duke nënvizuar qasjen e NATO-s për dialog me Moskën.

Ky ishte Samiti i parë i NATO –s, edhe për Presidentin francez Emanuel Macron, që është angazhuar për një forcim të bashkëpunimit me strukturat euroatlantike dhe me të cilin Trump pati një takim kokë më kokë.

Pjesëmarrës ishte edhe Kryeministri Rama.

Gjatë Samitit ai u takua edhe me Kryeministrin grek Tsipras, me të cilin diskutoi mbi marrëdhëniet dypalëshe dhe ranë dakord se vetëm gjetja e zgjidhjeve konkrete me impakt të drejtpërdrejtë në rritjen e mirëqenies së të dy popujve do të forcojë mirëbesimin midis dy shteteve dhe do t’i largojë nga retorikat konfliktuale e ngërçet e së shkuarës.

Në pjesën publike të Samitit, veç çështjeve në të cilat u ndal në mënyrë të veçantë, Presidenti Trump arriti të tërheqë sërish vëmendjen e medias me sjelljen e tij.

Ai u filmua nga kamerat teksa shtyu me forcë e shpërfillje Kryeministrin e Malit të Zi, për t’i dalë përpara, pasi ai i kishte zënë radhën e parë.

Tv Klan