Tërmeti lë pas mijëra njerëz të pastrehë

30 viktima janë konfirmuar deri më tani nga tërmeti i fuqishëm me magnitudë 6.6 i shkallës Rihter që goditi Turqinë dhe Greqinë.

Mbi 800 vetë u plagosën në Izmir dhe në provincat fqinje dhe mbi 60 të tjerë në qytetet e tjera turke.

Por shifrat pritet të rriten pasi ekipet e emergjencës kanë mundur të përfundojnë operacionin e kërkimit dhe shpëtimin në vetëm 8 nga 17 pallatet që janë rrëzuar apo dëmtuar rëndë në Izmir, ndërkohë që në terren po punojnë më shumë se 475 automjete dhe gati 4,000 punëtorë shpëtimi.

Autoritetet zyrtare turke bën të ditur se tërmeti i fortë është shoqëruar me 370 pasgoditje e 35 prej tyre ishin me magnitudë mbi 4 ballë.

2 studentë humbën jetën nga shembja e një muri edhe në ishullin grek të Samosit. Pikërisht në ujërat detare disa kilometra lag brigjeve veriore të ishullit u shënua edhe epiqendra, në një thellësi prej 16.5 kilometrash.

Lëkundjet ishin aq të fuqishme sa shkaktuan edhe një cunami të përmasave jo shumë të mëdha, por të mjaftueshme sa për të shkaktuar vërshime ujërash në brendësi të zonave të banuara.

Kjo fatkeqësi duket se ka bërë që të harrohen edhe përplasjet mes 2 vendeve pasi Erdogan dhe Mitsotakis kane pasur një telefonatë ku kanë folur për situatën.

Tv Klan