Një i ri që u ndalua mbrëmjen e djeshme nga policia ka ndërruar jetë papritur në Spitalin e Traumës.

Mbrëmjes e së mërkurës (19 Tetor), rreth orës 23:07 në rrugën “Riza Cuka”, një patrullë e përgjithshme e policisë së Tiranës i bëri thirrje një qytetari për të ndaluar për kontrollin e dokumenteve të identifikimit.

32-vjeçari Lear Kurti, nuk e zbatoi urdhrin e autoriteteve dhe u largua me vrap. Patrulla u vendos në ndjekje të tij dhe e ndaloi qytetarin në rrugën “Don Bosko” për ta shoqëruar më pas në komisariatin nr. 3.

Sapo ka mbërritur në komisariat, 32-vjeçari shfaqi probleme shëndetësore të rënduara dhe u shoqërua me mjetet e policisë në Spitalin e Traumës ku ndërroi jetë.

AMP ka ngritur menjëherë një grup hetimor për të sqaruar plotësisht rrethanat e ngjarjes. Ekzaminimet mjeko-ligjore do të përcaktojnë edhe shkakun e vdekjes së mistershme, që do të qartësohet në një njoftim përfundimtar për shtyp nga AMP.

Klan News: Gëlltiti qesen me kokainë, 32-vjeçari humbi jetën nga mbidoza

Lear Kurti, 32-vjeçari i cili gjeti vdekjen gjatë natës pas shoqërimit nga policia në Tiranë, dyshohet se ka humbur jetën si pasojë e mbidozës së kokainës.

Sipas burimeve për Klan News nga Mjekësia Ligjore, pas kryerjes së ekspertizës paraprake rezulton se në stomakun e tij është gjetur një përmbajtje plastike disa centimetra ku dyshohet se viktima ka gëlltitur lëndën narkotike.

Kjo substancë është dërguar për analiza të mëtejshme për të vërtetuar nëse ka qenë kokainë apo jo. Gjithashtu ekspertiza shprehet se në stomakun e 32-vjeçarit ka shenja hemorragjie.

Në një njoftim zyrtar për ngjarjen, Agjencia e Mbikëqyrjes Policore bëri me dije se Lear Kurtit i është kërkuar që të paraqiste dokumentet e identifikimit, por ai është larguar me vrap. Punonjësit e policisë janë vënë në ndjekje dhe kanë arritur ta ndalojnë në rrugën “Don Bosko”, duke kryer më pas edhe shoqërimin e tij në ambientet e Komisariatit të Policisë Nr. 3 në Tiranë.  

Ai ka shfaqur probleme shëndetësore dhe menjëherë është kërkuar ndihma e shërbimit të Urgjencës dhe për shkak se situata shëndetësore e tij është rënduar, ky shtetas është dërguar me mjetet e Policisë në Spitalin e Traumës, ku edhe ka ndërruar jetë.

Ndërkohë gjatë ditës së sotme, familja tërhoqi trupin e të riut nga morgu i spitalit.

Njoftimi zyrtar i AMP: 

Më datë 19.10.2022, rreth orës 23:07, Patrulla e Përgjithshme e Komisariatit të Policisë Nr. 3 Tiranë, gjatë kontrollit të territorit, kanë konstatuar në rrugën “Riza Cuka” një shtetas të cilit i kanë bërë thirrje për të ndaluar me qëllim për t’i kontrolluar dokumentat e identifikimit.

Sapo patrulla i kërkoi për të paraqitur dokumentat e identifikimit, shtetasi L.K., 32 vjeç është larguar me vrap. Punonjësit e policisë janë vënë në ndjekje dhe kanë arritur ta ndalojnë në rrugën “Don Bosko”, duke kryer më pas edhe shoqërimin e tij në ambientet e Komisariatit të Policisë Nr. 3 në Tiranë.

Gjatë shoqërimit të tij, ky shtetas ka shfaqur probleme shëndetësore sapo ka mbërritur në ambientet e Komisariatit. Menjëherë është kërkuar ndihma e shërbimit të Urgjencës dhe për shkak se situata shëndetësore e tij është rënduar, ky shtetas është dërguar me mjetet e Policisë në Spitalin e Traumës, ku edhe ka ndërruar jetë.

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, nën drejtimin e Prokurorisë ka ngritur menjëherë grupin hetimor, i cili po kryen veprimet e para hetimore për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.

Gjithashtu, aktualisht po kryhen ekzaminimet mjeko-ligjore për përcaktimin e shkakut të vdekjes dhe në përfundim AMP do të dalë me një njoftim përfundimtar për shtyp.

Detaje të reja nga vdekja e 32-vjeçarit që u shoqërua nga policia në Tiranë

Zbulohen detaje të reja në lidhje me ngjarjen e rëndë që u shënua mbrëmjen e së mërkurës në ambientet e Komisariatit Nr 3 në Tiranë.

Gazetari Besar Bajraktaraj raporton se viktima, 32-vjeçari Lear Kurti, dyshohet se ishte përdorues i lëndëve narkotike dhe po ashtu vuante nga sëmundja e epilepsisë. Sipas gazetarit, në momentin kur është shoqëruar në ambientet e Komisariatit, Kurti ka filluar të shfaqë probleme shëndetësore.

Në këtë moment është lajmëruar ambulanca, por për shkak se është vonuar, efektivët e kanë dërguar me makinën e policisë me urgjencë në spital, ku dhe ndërroi jetë.

Gjithnjë sipas të njëjtave burime, bashkë me viktimën është shoqëruar dhe shoku i tij, i identifikuar si Zyhdi Spahiu. Ky i fundit është kapur i dehur në mjetin e tij. Spahiu është lënë i lirë, por është shoqëruar me gjobë për shkak të dozës së alkoolit.

Dyshohet se viktima dhe shoku i tij fillimisht kanë qenë bashkë, por më pas janë ndarë kur është afruar policia. Lear Kurti rezulton me precedentë penalë, për vjedhje e droge.

Gjykata e Apelit në Tiranë do të shqyrtonte një proces gjyqësor në ngarkim të Lear Kurtit me akuzën e falsifikimit të kartmonedhave të kryer në bashkëpunim.

Kurti ishte shpallur i pafajshëm në vitin 2016, por vendimi u apelua nga Prokuroria e Tiranës. Seanca ishte parashikuar të mbahej më 25 Tetor në Gjykatën e Apelit./tvklan.al