◾Rusia vazhdon sulmet rreth Mariupolit, por Ukraina kontrollon pjesën më të madhe të qytetit.

◾Forcat ukrainase kanë rimarrë kontrollin e territorit të qytetit Kherson.

◾Një raketë e forcave ruse goditi një stacion treni në Kramatorsk, duke vrarë të paktën 50 persona.

◾Në rajonet Donetsk dhe Luhansk, Rusia po fokusohet për të marrë qytetet Rubizhne, Popasna dhe Marinka.

◾Një zyrtar perëndimor ka deklaruar se Rusia ka zëvendësuar komandantin e pushtimit të Ukrainës, duke vendosur gjeneralin Alexander Dvornikov.

Sulmi rus zhvendoset në lindje të Ukrainës

Ashtu siç kishte paralajmëruar, Rusia po e intensifikon sulmin e saj në lindje të Ukrainës. Guvernatori i Luhanskut tha këtë të shtunë se do të nevojitet që më shumë njerëz të evakuohen nga ky rajon, pasi bombardimet janë shtuar gjatë ditëve të fundit dhe më shumë forca ruse kanë mbërritur atje.

Në Makariv, rreth 50 kilometra larg Kievit forcat ruse vranë rreth 132 civilë. Disa prej trupave të viktimave u gjetën në varre masive. Kjo u konfirmua nga kryebashkiaku i qytetit i cili tha se e gjithë infrastruktura e këtij qyteti është pothuajse e shkatërruar. Prej më shumë se një muaj, qytetarët atje vuajnë nga mungesa e ushqimeve, ujit të pijshëm dhe energjisë elektrike.

Mbi sulmin e ditës së premte në Kramatorks ku humbën jetën rreth 50 persona dhe u plagosën disa të tjerë ka reaguar edhe Presidenti Volodymir Zelensky i cili e quajti këtë një tjetër krim lufte nga forcat ruse.

Aktiviteti ajror i forcave ruse pritet të rritet edhe në jug të vendit. Ditën e shtunë është njoftuar një shtetrrethim në qytetin port jugor të Odesës që do të nisë mbrëmjen e kësaj të shtune dhe do të përfundojë të hënën në mëngjes. Zyrtarët ukrainas ndërkohë kanë njoftuar se për ditën e sotme është dakordësuar për hapjen e 10 korridoreve humanitare.

Teksa kërkon të arrijë qëllimet e saj ushtarake në territorin ukrainas, Rusia i është ankuar Turqisë se përse Ukraina po përdor në luftën kundrejt saj, dronët Bajraktar të prodhuar atje. Sipas mediave ndërkombëtare, Turqia është shprehur se Ukraina i ka blerë këto drone përpara fillimi të luftës atje nga një kompani private.

Rusët shkatërrojnë depon e municioneve në Ukrainë

Forcat e ushtrisë ruse kanë shkatërruar një depo municionesh në Ukrainën qendrore. Lajmi është bërë i ditur nga agjencia ruse e lajmeve Interfax.

Sipas informacioneve, depo e municioneve që përdorej nga ushtria ukrainase ndodhej bazën ajrore Myrhorod.

Nga sulmi i Rusisë në këtë bazë u shkatërruan edhe avion luftarak MiG-29 dhe një helikopter Mi-8 që përdoreshin nga forcat ukrainase.

Ministria britanike e Mbrojtjes: Pritet intensifikimi i sulmeve ajrore ruse në jug dhe lindje

Ministria e Mbrojtjes së Britanisë së Madhe ka deklaruar se pritet që të shtohen sulmet ajrore të Rusisë në jug dhe në lindje të Ukrainës.

“Forcat e Moskës po vazhdojnë të godasin civilët ukrainas, si ata që u vranë në sulmin me raketa të së premtes në stacionin hekurudhor në Kramatorsk”, thotë Ministria britanike.

Operacionet ruse janë përqëndruar në rajonin lindor të Donbas dhe në qytetet jugore të Mariupol dhe Mykolaiv.

Por kanë hasur në rezistencën e forcave ukrainase që nuk i lejojnë të krijojnë lidhjen midis Krimesë dhe rajonit të Donbas.

Rusia ndryshon komandantin e pushtimit

Një zyrtar perëndimor ka bërë të ditur në kushte anonimati se Rusia ka ndryshuar zinxhirin e komandimit të ushtrisë.

Duke folur për BBC, ky zyrtar ka thënë se është zëvendësuar komandanti i luftës për pushtimin në Ukrainë, duke vendosur në krye një gjeneral me përvojë të gjerë në operacionet luftarake në Siri.

“Ky komandant ka shumë përvojë në operacionet ruse në Siri. Pra, do të shikojmë që komanda dhe kontrolli i përgjithshëm do të përmirësohen”, tha zyrtari perëndimor në kushtet e anonimatit.

Bëhet fjalë për gjeneralin Alexander Dvornikov, i cili tashmë drejton pushtimin e Ukrainës. Ndryshimi i komandantit të pushtimit u bë për të përmirësuar koordinimin mes forcave ruse në terren.

Deri më tani, Rusia nuk ka arritur dot të pushtojë qytetet kryesore, siç është Kievi, por dhe zona të tjera të Ukrainë. /tvklan.al