Rama: Rindërtimi është për gjithë shqiptaret, kujdes bravat

524 familje të tjera të mbetura të pastreha si pasojë e tërmetit të Nëntorit 2019 në zonën e Laçit kanë hyrë këtë martë në shtëpitë e reja të ndërtuara falë ndihmës së qeverisë turke.

I pranishëm në ceremoninë e dorëzimit të banesave, kryeministri Edi Rama tha se puna e bërë në këtë lagje të re është përgjigja më e mirë për të gjithë skeptikët dhe fjalët që kanë shoqëruar këtë proces në këto dy vite.

“e kam pritur këtë moment sepse këtu ka qenë skepticizmi më i madh, që nga thashethemi që këtu do prishet dhe s’do të na japin gjë mbrapsht. Por ja ku jemi sot këtu dhe këtë lagje, e keni ju e ndryshe nga lagjet e Tiranës që janë me këto standarde dhe që kushtojnë shumë shtrenjtë, këto shtëpi dhe ato që kishin njësi shërbimi më parë do të jenë falas, me dokumente pronësie”.

Ai theksoi gjithashtu se procesi i rindërtimit në laç është shembulli më kuptimplotë se nuk është bërë vetëm për socialistët.

“Duke qenë se këtu ju votoni masivisht atë partinë tjetër do të bëni kujdes se mos iu ndërrojnë bravën. Ajo partia e shumicës këtu, aman ngrini dy gishtat se më mori malli. Këtu është shembulli që rindërtimi është bërë për të gjithë familjet shqiptare të prekura nga tërmeti. Për të gjithë ata që mund të kenë dëshirë të bëjnë fotografi me mua kur vij këtu. Rindërtimi është një program për shqiptarët”.

Një falenderim ai e pati edhe për popullin dhe presidentin turk, i cili iu përgjigj thirrjes për ndihmë qe ne momentet e para pas tërmetit shkatërrimtar. Zëvendëskryministri, Arben Ahmetaj theksoi se përfundimi i këtij blloku banimi është një fjalë e mbajtur.

Ahmetaj bëri të ditur se në total janë 49 mijë familje shqiptare që kanë përfituar deri më tani nga programi i rindërtimit, ndërsa kanë përfunduar 1347 njësi banimi individuale dhe 808 apartamente.

Tv Klan