◾Një zyrtar i lartë ukrainas thotë se po vijon një përpjekje e re për të shpëtuar civilët që janë bllokuar me luftëtarët ukrainas në fabrikën e çelikut Azovstal.
◾Atje mendohet se fshihen në bunkerë 200 civilë, duke përfshirë 20 fëmijë.
◾Andriy Yermak, shefi i stafit të Presidentit Zelensky, thotë se rreth 500 civilë janë evakuar nga qyteti që kur OKB nisi një operacion shpëtimi.
◾Vladimir Putin i ka bërë thirrje Ukrainës që të urdhërojë luftëtarët e saj në kompleks që të dorëzohen.
◾Marrja e Mariupolit do të jetë simbolike për Moskën sidomos para festimeve të 9 Majit, për Ditën e Fitores.
◾SHBA-ja ka ndihmuar ushtrinë ukrainase që të shënjestrojë dhe të vrasë gjeneralët rusë.
◾Raportimet thonë po ashtu se SHBA ka dhënë informacione inteligjente që kanë ndihmuar Ukrainën që të përmbysë anijen luftarake Moskva.
Bllokohen miliona tonë eksporte të grurit të Ukrainës

Organizata e Ushqimit dhe e Bujqësisë (FAO) e OKB-së ka raportuar se 25 milionë tonë drithë ukrainase që do të eksportoheshin, janë bllokuar për shkak se portet e Detit të Zi janë mbyllur.
Zëvendësdrejtori i FAO-s, Josef Schmidhuber po ashtu tha në një konferencë shtypi në Gjenevë se rreth 700,000 tonë drithë dukej se ishin zhdukur, duke u bazuar në pretendimet në mediat sociale se trupat ruse po vidhnin drithë dhe pajisje bujqësore nga Ukraina.
Mungesa e drithit po çon në rritje të çmimeve globale të ushqimit. Agjencitë e ndihmës së OKB-së kanë paralajmëruar se shumë vende të varura ose nga furnizimet ushqimore humanitare ose nga importet e drithërave ruse ose ukrainase, po përballen me pasiguri ushqimore, madje dhe më urinë.
Zelensky i bën thirrje kancelarit gjerman Scholz të vizitojë Kievin në 9 Maj

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky i ka bërë thirrje kancelarit gjerman Olaf Scholz të ndërmarrë një hap të madh dhe të vizitojë Kievin më 9 Maj.
Kjo është data kur Rusia feston çdo vit fitoren e Bashkimit Sovjetik në Luftën e Dytë Botërore.
“Ai është i ftuar, ftesa është e hapur; ka kohë që është”, ka deklaruar Zelensky.
Zelensky ka qenë më parë kritik ndaj Gjermanisë për rezistimin e thirrjeve evropiane për ndalimin e energjisë ruse.
Në këtë ditë pretendohet se Rusia mund t’i shpallë luftë të hapur dhe zyrtare Ukrainës.
Von der Leyen: Rusia nuk është më partner i besueshëm
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka thënë se embargoja e naftës ndaj Rusisë e shpallur në fillim të kësaj jave nuk është e lehtë, por BE-ja nuk mund të “transferojë para në Moskë në afat të gjatë, duke pasur parasysh vlerat e saj”.
Ajo theksoi se BE duhet të reduktojë varësinë ndaj gazit rus dhe se Rusia nuk është më një partner i besueshëm.
Përfaqësuesit e unionit takohen sërish të premten, në bisedimet që pritet të zgjasin edhe gjatë fundjavës, për të negociuar paketën e re të sanksioneve kundër Rusisë.
Von der Leyen theksoi se lufta e presidentit rus, Vladimir Putin, në Ukrainë dhe sanksionet e nevojshme të ndërmarra nga BE janë më shumë se një test për ekonominë e unionit. Ajo tha se vendi i BE-së është “në krahun e Ukrainës”.
“Ne duam që Ukraina ta fitojë këtë luftë,” citohet të ketë thënë ajo.

Përpjekje e re për të shpëtuar civilët nga fabrika Azovstal
Një zyrtar i lartë ukrainas ka thënë se po vijon një tentativë e re këtë moment për të evakuuar civilët që janë bllokuar me luftëtarët ukrainas në fabrikën e çelikut Azovstal në Mariupol.
Andriy Yermak, kreu i stafit presidencial nuk dha detaje mbi progresin e operacionit dhe premtoi se do të përditësojë më vonë situatën.
Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres u shpreh gjatë Këshillit të Sigurimit të enjten se “faza e re e shpëtimit të njerëzve nga Azovstal po vijon”.
Rusia: Kemi shkatërruar avionë luftarakë dhe depo municionesh në Ukrainë

Sulmet me raketa nga ushtria ruse kanë shkatërruar një depo të madhe municionesh në qytetin Kramatorsk të Ukrainës.
Lajmi është bërë i ditur nga Ministria ruse e Mbrojtjes. Po kështu, Moska njofton se mbrojtja e saj ajrore ka rrëzuar dy avionë luftarakë ukrainas, Su-25 dhe MiG-29, në rajonin lindor të Luhansk. Këto pretendime të Rusisë nuk janë konfirmuar nga asnjë mediat ndërkombëtare në mënyrë të pavarur.

Mediat: SHBA ndihmoi Ukrainën të fundoste anijen Moskva
SHBA i ka siguruar Ukrainës informacione inteligjente për ta ndihmuar që të fundoste luftanijen Moskva. Ky lajm raportohet nga disa media të ndryshme në Shtetet e Bashkuara.
Zyrtarë anonimë thanë se Ukraina ka pyetur SHBA-në për një anije që lundronte në jug të Odesa-s. SHBA tha se ishte anija Moskva dhe e ka ndihmuar që të gjente vendndodhjen e saj. Më pas, Ukraina e sulmoi me dy raketa.
Një zëdhënës i Pentagonit tha se SHBA ia dha informacionin Ukrainas për të mbrojtur veten. Më herët, John Kirby mohoi raportimet në media, që SHBA i kishte siguruar Ukrainës informacione rreth vendndodhjeve të gjeneralëve të lartë rusë në frontin e luftës, në mënyrë që forcat ukrainase t’i vrisnin ata.
“Ne nuk japim informacione për vendndodhjen e liderëve të lartë ushtarakë në fushën e betejës dhe nuk marrim pjesë në vendimet e shënjestrës së ushtrisë ukrainase,” tha ai.
Kirby tha se Ukraina ka kombinuar informacionin që SHBA-ja dhe të tjerët kanë ofruar me inteligjencën e tyre në fushën e betejës.
“Pastaj ata marrin vendimet dhe veprimet e tyre”, tha ai.

Rusët dështojnë në të gjithë frontin e luftës
Forcat ruse nuk po bëjnë “një lloj përparimi strategjik” në rajonin lindor të Donbasit të Ukrainës, ka bërë të ditur Ministria e Mbrojtjes Britanike. BBC raporton se ushtria e Vladimir Putin po pëson humbje të mëdha.
Luftimet aktualisht janë më intensive në lindje të Kharkivit. OKB-ja ka bërë të ditur se do të evakuojë më shumë civilë nga Mariupol. Forcat ruse sërish kanë bombarduar fabrikën e çelikut Azovstal në Mariupol, ku të paktën 200 civilë ishin strehuar.
Ushtria ukrainase ka deklaruar se trupat ruse po sulmonin fabrikën në përpjekje për të marrë kontrollin e saj. Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka bërë të ditur se trupat ruse kane shkatërruar rreth 400 institucione të kujdesit shëndetësor në vend.
Media të shumta amerikane raportojnë se SHBA-të ndihmuan ushtrinë ukrainase të vriste disa gjeneralë rusë. Raportet thanë gjithashtu se inteligjenca amerikane kishte ndihmuar Ukrainën të fundoste anijen luftarake ruse Moskva. Pentagoni ka mohuar të ketë dhënë informacione.

Orban: Hungaria nuk mund të mbështesë sanksionet e reja të BE-së kundër Rusisë
Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, tha se shteti i tij nuk mund të mbështesë paketën e re të sanksioneve të Bashkimit Evropian kundër Rusisë, në formën që janë prezantuar, përfshirë edhe embargon ndaj importeve të naftës së papërpunuar ruse.
Në një intervistë për radion shtetërore hungareze, Orban tha se propozimi i Komisionit Evropian do të përbënte një “bombë bërthamore” të lëshuar mbi ekonominë hungareze, duke shtuar se Hungaria është e gatshme për negociata nëse sheh një propozim të ri, që do t’i përshtatej interesave të Budapestit.
Më 4 maj, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka prezantuar pakon e re të sanksioneve kundër Rusisë për shkak të pushtimit të Ukrainës.
Në propozim përfshihet heqja dorë nga furnizimet me naftën e papërpunuar ruse brenda gjashtë muajsh, ndërkaq nga produktet e rafinuara deri në fund të vitit.
Kjo pako e gjashtë e sanksioneve të bllokut evropian, në mënyrë që të hyjë në fuqi, kërkon miratimin unanim të 27 shteteve të BE-së.

Do t’i sjellë embargo e naftës më shumë miliarda Putin?
Po thelbi i kësaj pakete është bojkoti me faza i importeve ruse të naftës. Bëhet fjalë për një ndalim të plotë të importeve të naftës ruse, qoftë kjo përmes rrugës detare apo tubacioneve, sipas propozimit të Komisionit Europian. Nafta do duhet të bllokohet brenda 6 muajsh, produktet e rafinerisë deri në fund të vitit.
Ujdi e përgjithshme megjithëse ka ende probleme
Në një kohë që Gjermania ishte një frenuese fillimisht e bojkoteve energjitike, ministri i Ekonomisë, Robert Habeck sinjalizoi në fillim të javës kthesën në Berlin dhe e quan të mundur embargon e naftës megjithë disa vështirësi. Kundërshtime erdhën nga Hungaria, Sllovakia dhe Austria, të treja këto vende janë të varura plotësisht ose në masë të madhe nga importet e naftës ruse. Për Budapestin dhe Bratislavën për këtë arsye do të ketë përjashtime. Qeveria në Budapest reagoi pas propozimit të BE duke thënë, se nuk shikohet në propozim një plan, se si garantohet siguria energjitike e Rusisë. Më parë Viktor Orban, i afërt me presidentin rus, kishte thënë, se ai nuk e ka fjalën për ta kundërshtuar politikisht bojkotin.

Partitë politike në Parlamentin Europian e përshëndetën bojkotin e paralajmëruar. Jens Geier nga socialdemokratët u shpreh se shkëputja me disa faza nga nafta ruse i jep kohë ekonomisë të gjejë alternativa dhe zbut pasojat sociale. Qeveritë duhet të kenë kujdes nga efektet anësore “si rritja e çmimeve dhe dëmet në sektorët kritikë të ekonomisë”. Sergey Lagodinksy eurodeputet i Të Gjelbërve u shpreh, se bojkoti i naftës do ta godasë ndjeshëm Rusinë dhe tregon, se BE e ka seriozisht. Por një embargo e tillë e energjisë duhet të zbusë efektet sociale të rritjes së çmimeve. Megjithatë Europa mundet dhe duhet të paguajë çmimin, sepse bëhet fjalë për kredibilitetin e saj përballë Putinit. Beata Szidlo, eurodeputete e partisë qeverisëse në Poloni, PiS kritikoi vonesën e kësaj pakete dhe kërkoi që vendime të tilla të zbatohen plotësisht nga të gjithë.
Ekspertët kanë dyshime

Por a e godet embargoja me disa faza ekonominë e luftës së Putinit, ashtu siç e parashikojnë europianët? Instituti i Ekonomisë së Energjisë, “Rystad Energy” vlerëson, se megjithë rëniet e pritshme të prodhimit të naftës ruse në këtë vit, të ardhurat e Rusisë do të rriten për shkak të rritjes së çmimeve të naftës në 180 miliardë dollarë. Kjo është gati gjysma më shumë se në vitin e kaluar e megjithëse prodhimi që nga fillimi i luftës ka rënë me 1,6 miliardë fuçi. “Në këtë fazë të parë të sanksioneve dhe embargos, Rusia do të ketë përfitimin nga rritja e çmimit të viteve të kaluara”, vlerëson analistja e ekonomisë, Daria Melnik. Por në plan afatmesëm prodhimi dhe të ardhurat e Moskës do të bien, sepse riorientimi për blerës në tregjet e Azisë do të kërkojë kohë dhe investime masive infrastrukturore. Sipas ekspertëve vetëm nga mesi i vitit të ardhshëm, prodhimi i naftës në Rusi do të rehabilitohet.
“Financial Times” shkruan, se do të jetë i vështirë zbatimi i embargos së naftës, “pa i rritur shumë çmimet në tregjet botërore, që mund të çojnë në rënie të fortë të ekonomisë botërore”. Nuk ka shumë naftë në dispozicion në tregun botëror dhe nuk është e sigurtë nëse OPEC dhe prodhuesit e mëdhenj si Arabia Saudite janë të gatshëm të zëvendësojnë naftën ruse. Thjesht njoftimi që erdhi nga BE për embargon e rriti çmimin me 3%.
Doganat më efektive

Edhe ekspertë të Institutit të Brukselit, Bruegel kanë dyshime në efektin e embargos së naftës. Guntram Wolff dhe Simone Tagliapietra kujtojnë, se rritja e pritshme e çmimeve madje mund ta mbikompensojë uljen e eksporteve të naftës. Këtë efekt afatshkurtër Moska mund ta përdorë për qytetarët e saj, sepse buxheti shtetëror financohet gati në gjysmën e tij nga eksportet e energjisë. Vetëm një embargo e energjisë e plotë dhe e menjëhershme do të kishte efekt të fortë, thuhet nga ekonomistët, sepse shkëpuja me disa faza nga nafta ruse, i jep kohë Rusisë të riorentojë eksportet e saj. Gjobat në dogana madje do të ishin më me efekt, “sepse ato mund të përshtaten sipas zhvillimit politik”, dhe ato mund të përdoren për rindërtimin e Ukrainës thuhet nga ekspertët. Edhe Greenpeace shpehet, se shkëputja e ngadalshme nga nafta i jep shumë kohë Rusisë për alternativa.

Përpjekjet për të shpëtuar të bllokuarit në Azovstal
Operacionet për evakuimin e civilëve nga Mariupoli do të vazhdojnë. Këtë ka thënë gjatë të enjtes presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, i cili ka shtuar se Rusia nuk ka ndaluar bombardimet në fabrikën Azovstal.
“Gra dhe shumë fëmijë janë bllokuar atje”, tha ai.
Kombet e Bashkuara shpresojnë që të evakuojnë më shumë fëmijë nga fabrika Azovstal, ku qindra persona dyshohet se fshihen në bunkerë. Kjo fabrikë është pjesa e fundit e qytetit të Mariupolit, e cila është në duart e trupave ukrainase.
Shefi i OKB-së, Antonio Guterres, ka thënë se duhet bërë gjithçka për të nxjerrë njerëzit nga aty. Të enjten, 2 autokolona evakuuan rreth 500 persona nga fabrika Azovstal, Mariupoli dhe zonat rrethuese.
Në fjalimin e tij, Zelensky tha se në zonat e pushtuara nga Rusia ka mungesa të katastrofike të shërbimeve mjekësore dhe ilaçeve. Ai shtoi në fund se trupat ruse kanë shkatërruar ose dëmtuar të paktën 400 institucione të kujdesit shëndetësor.
REDAKSIA TVKLAN.AL












Botërori 2026 
