◾Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky thotë se forcat ruse kanë “shkatërruar plotësisht” rajonin lindor të Donbasit.

◾Duke përshkruar rajonin ku Rusia ka përqendruar ofensivën e saj, ai thotë: “Atje është ferr, nuk është ekzagjerim”.

◾Senatorët amerikanë miratojnë gati 40 miliardë dollarë ndihmë për Ukrainën, paketa më e madhe e mbështetjes që nga pushtimi i Rusisë.

◾Presidenti Joe Biden thotë se Finlanda dhe Suedia kanë “mbështetjen e tij të plotë” për anëtarësim në NATO.

◾Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar Boris Johnson, akuzon Rusinë për një bllokadë të eksporteve të grurit ukrainas.

Rusët intensifikojnë sulmet në Ukrainë

Dita e 86 e ka gjetur lindjen e Ukrainës nën goditjet e intensifikuara të ushtrisë ruse. Zyrtarët e Kievit thonë se artileria rusë vrau 13 civilë dhe plagosi dhjetëra të tjerë gjatë një sulmi të orëve të para të kësaj të Premteje në rajonin lindor të Luhanskut. Predhat goditën zonat e banuara nga civilët në qytezën e Severodoneskut, ku sulmi rus është përballur me dështime ditët e fundit. Megjithatë, Moska vazhdon të mohojë vrasjen e civilëve dhe thotë se po godet vetëm objektiva ushtarake.

Senatori rus Frants Klintseviç pranoi gjatë një emisioni në televizionin shtetëror rus se ushtria ukrainase është më e forta dhe më e mirëtrajnuara deri më tani dhe se ruset po përballen me vështirësi të mëdha në këtë vend.

Ushtria ruse publikoi pamjet e mbërritjes në territoret pro-ruse të luftëtarëve të fundit të dorëzuar të njësisë Azov në Mariupol, deri më tani mbi 1700 për tre ditë, ndërsa nuk dihet ende nëse operacioni i evakuimit nga vendstrehimet e Azovstalit ka përfunduar.

Zelenski, njeriu më me ndikim për 2022?

Volodimir Zelenski votohet si njeriut më me ndikim në botë për vitin 2022 nga lexuesit e revistës prestigjioze amerikane Time. 5% e mbi 3.3 milionë lexuesve që morën pjesë në sondazhet online përzgjodhën Zelenskin për të qenë në krye të renditjes së 100 personave më me ndikim në botë për këtë vit. Ata mendojnë se Zelenski e meriton këtë renditje, falë rolit që ka luajtur në përballimin e sulmit brutal nga Rusia ndaj vendit që ai drejton.

Për më tepër Volodimir Zelenski u zgjodh president i Ukrainës në vitin 2019, pa asnjë eksperiencë politike dhe vinte nga bota e kinemasë si komedian.

Zelenski zhvendos një vend më poshtë edhe njeriun më të pasur të globit, Ilon Maskun, i cili mbante kryesimin vitin e kaluar. I treti është kryeministri britanik Boris Xhonson, ndërsa presidenti amerikan Xho Bajden renditet i pesti, pas mjekëve që luftuan me COVID-in, të cilëve u është kushtuar një vend i rëndësishëm në renditje.

Fabrika në vështirësi: Nuk përballon dot kërkesën për birrën e re “NATO”

Një fabrikë finlandeze birre po përpiqet të përballojë kërkesën e madhe për birrën e saj të re të quajtur “NATO”, që u krijua për të shënjuar vendimin e vendit për t’u bashkuar me aleancën ushtarake pas 75 vitesh neutraliteti.

Fabrika e birrës është e vendosur në Savonlinna, 50 km nga kufiri rus, në një ndërtesë me tulla të kuqe të ndërtuar kur Finlanda ishte ende pjesë e Perandorisë Ruse në 1909.

Pronari i saj, Petteri Vanttinen i tha agjencisë së lajmeve AFP se shitjet e birrës së tij “liri” kanë shpërthyer që kur ajo u bë virale në mediat sociale pasi parlamenti finlandez njoftoi vendimin për t’u bashkuar me NATO-n të hënën.

“Normalisht ne shesim rreth njëqind kanaçe birre në ditë. Tani numri është mbi dy mijë”, tha ai.

Finlanda dhe Suedia kanë paraqitur tashmë kërkesat e tyre për t’u bashkuar me NATO-n.

NYT publikon pamjet nga vrasja e civilëve në Bucha

Masakra në qytetin Bucha të Ukrainës i tregoi botës se çfarë do të thotë lufta. Gra dhe fëmijë të pafajshëm u vranë ose u dogjën nga trupat ruse.

Një skenë e tmerrshme e asaj çfarë ndodhi në qytet ka dalë së fundmi. Nga këto pamje filmike shihet se si ushtarët rusë kanë zënë rob një grup prej nëntë civilësh.

Ata përkulen, me duart e vendosura mbi kokë, kalojnë një rrugë të zbrazët. Dy ushtarë rusë me armë shihen teksa kërcënojnë me armë civilët. Më vonë të gjithë civilët sipas medias amerikane janë ekzekutuar.

Këto pamje mund të cilësohen një nga provat e mundshme për krime lufte nga ushtarët rusë në Bucha.  Presidenti Volodymyr Zelensky ka përsëritur pretendimin e tij se Rusia po kryen gjenocid në Ukrainë.

Në një fjalim, ai u shpreh se ka një përpjekje të qëllimshme dhe kriminale për të vrarë sa më shumë ukrainas të jetë e mundur. Zelensky tha se jeta ishte bërë “ferr” në rajonin lindor të Donbasit, i cili është “shkatërruar plotësisht”.

Beteja për Donbasin ka të ngjarë të vendosë fatin e sulmit rus. Marrja e rajonit do t’i lejonte Moskës të hapte një urë tokësore përgjatë bregut jugor në kufirin rus dhe të kontrollonte furnizimin me ujë në Gadishullin e Krimesë, të cilin e aneksoi në 2014. Rreth 40,000 nga ushtarët më të fortë dhe me përvojë të Kievit janë vendosur atje dhe një  humbje e tyre do të ishte një goditje për Ukrainën.

“Rusia po lufton një nga ushtritë më të forta dhe më të stërvitura”

Senatori rus Frants Klintsevich ka pohuar se përparimi i ngadaltë i vendit të tij në Ukrainë është për shkak se forcat e Moskës po luftojnë ushtarët “me të njëjtin mentalitet si i yni”..

Duke folur në televizionin shtetëror rus, Klintsevich tha se “operacioni special ushtarak” i Rusisë po vazhdonte “me mjaft vështirësi”.

Ai e quajti ushtrinë e Ukrainës “një nga ushtritë më të forta dhe më të trajnuara” dhe tha “ne po luftojmë kundër ushtarëve dhe oficerëve rusë”.

Rusia e ka shndërruar Donbasin në “ferr”

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka akuzuar Rusinë se e ka kthyer rajonin lindor të Donbasit në “ferr”, ndërsa luftimet intensive atje vazhdojnë. Duke folur gjatë fjalimit të tij të natës nga Kievi, ai tha se forcat ruse kishin rrafshuar rajonin. “[Ka] sulme të vazhdueshme në rajonin e Odesës, në qytetet e Ukrainës qendrore. Donbasi është shkatërruar plotësisht,” tha ai.

“E gjithë kjo nuk ka dhe nuk mund të ketë ndonjë shpjegim ushtarak për Rusinë. Kjo është një përpjekje e qëllimshme dhe kriminale për të vrarë sa më shumë ukrainas të jetë e mundur. Shkatërroni sa më shumë shtëpi, objekte sociale dhe ndërmarrje”, tha udhëheqësi ukrainas.

Të enjten, ministria e Mbrojtjes e Ukrainës akuzoi Rusinë për intensifikimin e sulmeve të saj në Donbas dhe parandalimin e largimit të civilëve.

Guvernatori i ri: Kherson do bëhet pjesë e Rusisë

Guvernatori i vendosur nga Rusia në Kherson, qytet i pushtuar në Ukrainën jugore ka thënë se rajoni së shpejti do të integrohet plotësisht në Rusi.

Volodymyr Saldo, i cili u vendos nga forcat ruse pasi morën kontrollin e zonës në fillim të marsit, shkroi në Telegram se do të bëhej “rajoni Kherson i Federatës Ruse”.

Zëvendësi i tij, Kirill Stremousov, shkroi se banorët do të mund të aplikojnë për nënshtetësinë ruse në javët e ardhshme kur situata të stabilizohet.

Zyrtarët ukrainas kanë paralajmëruar vazhdimisht se Moska po planifikon një referendum të rremë pavarësie në rajon, por jo vetëm.

Megjithatë, zyrtarët rusë nuk kanë konfirmuar se aneksimi i rajoneve të pushtuara të Ukrainës jugore është i pashmangshëm dhe zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov tha në fillim të këtij muaji se e ardhmja e rajonit varej nga vullneti i banorëve.

13 të vrarë nga bombardimet në Luhansk

Bombardimet ruse në rajonin lindor të Ukrainës, Luhansk, i kanë marrë jetën të paktën 13 civilë në 24 orët e fundit. Lajmi bëhet i ditur nga kreu i Administratës Ushtarake Rajonale të Luhanskut, Serhiy Hayday, sipas Reuters.

Shumica u vranë në Severodonetsk, një qytet strategjikisht i rëndësishëm për rusët, pasi kontrolli i tij do t’i mundësonte Rusisë të shkonte drejt perëndimit dhe të lidhej me forcat ruse që shtyjnë në juglindje të Izyum.

SHBA do i dërgojë Ukrainës raketa kundër anijeve

Zyrtarët amerikanë po konsiderojnë armatosjen e ushtrisë ukrainase me raketa të avancuara kundër anijeve, raporton agjencia e lajmeve Reuters. Duke cituar zyrtarë të administratës së Biden, raporti thotë se Shtëpia e Bardhë mund t’i ofrojë Kievit Boeing Harpoon dhe raketa Naval Strike me të cilat të synojnë Flotën e Zezë Ruse, e cila aktualisht po bllokon portet e Ukrainës.

Zyrtarët e mbrojtjes në Mbretërinë e Bashkuar kanë thënë se rreth 20 anije të marinës ruse, duke përfshirë nëndetëse, janë aktive në rajon.

Zyrtarët besojnë se armët mund të ndihmojnë që anijet ruse të largohen nga territori ukrainas dhe të lejojnë rifillimin e dërgesave të grurit dhe produkteve të tjera bujqësore.

Por raketat, të cilat kushtojnë rreth 15 milionë dollarë për raund dhe kanë një rreze veprimi prej 300 km, janë kryesisht raketa me bazë në det, që do të thotë se Ukraina mund të përballet me vështirësi për ta gjuajtur nga bregu.

Senati amerikan bie dakord për paketën 40 mld Dollarë për Ukrainën

Senati amerikan ka votuar për të miratuar një projekt-ligj të ri prej 40 miliardë dollarësh për të ofruar ndihmë ushtarake dhe humanitare për Ukrainën. Kjo është paketa më e madhe e ndihmës emergjente deri më tani për Ukrainën.

Paketa e çon ndihmën totale të SHBA në më shumë se 50 miliardë dollarë, përfshirë 6 miliardë dollarë për asistencë sigurie si trajnime, pajisje, armë dhe mbështetje.

Projektligji, i cili u miratua nga Dhoma e Përfaqësuesve me mbështetje të gjerë dy partiake më 10 maj, pritej të miratohej në fillim të kësaj jave, por u bllokua nga republikani i Kentakit Rand Paul për një mosmarrëveshje rreth mbikëqyrjes së shpenzimeve.

Por udhëheqësi i Senatit republikan, Mitch McConnell hodhi poshtë këto shqetësime dhe u tha gazetarëve se Kongresi kishte një “përgjegjësi morale” për të mbështetur “vetëmbrojtjen e një demokracie sovrane”. Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, vlerësoi paketën e ndihmës si “një kontribut të rëndësishëm të SHBA për rivendosjen e paqes dhe sigurisë në Ukrainë, Evropë dhe botë”.

Zelensky: Donbasi është shkatërruar plotësisht

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, tha se forcat ruse kanë “shkatërruar plotësisht” rajonin ukrainas të Donbasit, teksa Moska ka intensifikuar ofensivën në lindje.

Gjatë një adresimi në orët e vona të 19 majit, Zelensky po ashtu akuzoi forcat ruse se po tentojnë të vrasin sa më shumë ukrainas dhe të shkaktojnë sa më shumë dëme që munden, duke përsëritur akuzat se Rusia po kryen gjenocid.

“Atje është ferr – dhe ky nuk është ekzagjerim”, tha ai, duke shtuar se 12 persona janë vrarë “në bombardimet brutale dhe absolutisht të pakuptimta” në Severodonjeck më 19 maj.

Ka “sulme ajrore të vazhdueshme në rajonin e Odesës, në qytetet në qendër të Ukrainës. Donbasi është i shkatërruar plotësisht”, tha ai.

Ministria e Mbrojtjes së Britanisë tha më 20 maj se Rusia ka të ngjarë që të përforcojë operacionet e saj në rajonin e Donbasit, pasi të sigurojë qytetin e Maariupolit.

Rusia nisi pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt dhe pasi në javët e para dështoi që të merrte nën kontroll Kievin dhe qytete të tjera kyçe, Moska përqendroi ofensivën e saj në rajonin lindor të Donbasit.

Në të dhënat e përditësuara për luftën në Ukrainë, inteligjenca ushtarake britanike tha se pothuajse 1,700 ushtarë ukrainas janë larguar nga fabrika e çelikut Azovstal në Mariupol.

Rusia të enjten tha se 1,730 ushtarë ukrainas janë “dorëzuar” në Azovstal. Ukraina ka thënë se dëshiron të këmbejë të burgosurit, por nuk ka komentuar më shumë për këtë temë, pasi ka argumentuar se mund të vë në rrezik përpjekjet e shpëtimit.

Zelensky tha se më 19 maj ka biseduar me kryeministrin britanik, Boris Johnson, dhe presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, për një sërë çështjesh, përfshirë edhe ndihmën financiare për ekonominë e shkatërruar ukrainase, eksportet e agrikulturës dhe “evakuimin e heronjve tanë nga Azovstali”.

Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq ka njoftuar se ka filluar që të regjistrojë luftëtarët ukrainas që janë larguar nga Azovstali si të burgosur të luftës.

Raportohet se të gjithë luftëtarët e larguar nga Azovstali janë transferuar në territore në lindje të Ukrainës që kontrollohen nga separatistët pro-rusë. Ende është e paqartë se edhe sa ushtarë gjenden në fabrikë, por qyteti i Mariupolit tani është nën kontrollin rus.

Luftëtarët në Azovstal ishin qëndresa e fundit në Mariupolin e shkatërruar nga bombardimet ruse. Ukraina urdhëroi që luftëtarët të dorëzonin armët dhe të largoheshin nga fabrika.

Kombet e Bashkuara bënë thirrje që Rusia dhe Ukraina të bashkëpunojnë për t’i dhënë fund rrethimit dhe për të mundësuar evakuimin.(REL)

REDAKSIA TVKLAN.AL