Qato: Pacientët janë mbi 60 vjeç dhe me sëmundje kronike, simptomat më të lehta

Infektimet e qytetarëve nga Covid-19 kanë rënë ndjeshëm, por infeksioni respirator Sars Cov 2 vijon të sjellë problematika tek pacientët, të cilët kanë nevojë për hospitalizim në spitalin Infektiv. Aktualisht të shtruar janë 9 pacientë, por sipas mjekes infeksioniste Migena Qato agresiviteti i virusit ka rënë, kjo duket dhe te simptomat e pacientëve.

“Aktualisht nuk kemi pacientë si të themi kandidatë për terapi intensive ose për të marrë oksigjeno-terapi në litrazh të lartë. Tabloja klinike e pacientëve të paraqitur është më e lehtë krahasuar me kuadrin klinik që ishim mësuar të shihnim gjatë pandemisë.”

Mes pacientëve të shtuar mbizotërojnë moshat e treta dhe ata me sëmundje bashkëshoqëruese.

“Pjesa më e madhe e grupmoshave praktikisht i referohet moshës mbi 60 vjeç, që në fakt janë dhe pacientët që vuajnë dhe nga patologji të tjera bashkëshoqëruese, të tipit hipertensioni arterial, diabeti, sëmundje pulmonare apo ato neurologjike.”

Mjekja infeksioniste thotë se shpesh herë pacientët vinë më vonëse jo se neglizhojnë por sepse mendojnë se kanë virozë.

“Jemi në një fazë virozash epidemiologjike e cila është e pasur me viroza, gripe sezonale që normalisht në kuadrin e tyre klinik kanë komplikacione si bronkopneumonia, që në fakt është arsyeja madhore pse hospitalizohen pacientët me Covid. Kështuqë unë do të sugjeroja që të bëjnë shumë kujdes sa i takon gravitetit të simptomave, nëse ndodh që intensiteti i shenjave klinike është më i fortë se në një virozë apo grip të drejtohen te mjeku i familjes apo klinikat për të bërë testin Covid.”

Gjatë këtyre katër muajve të vitit 2023 sipas të dhënave të ministrisë së shëndetësisë kanë humbur jetën nga Covid-19, 8 persona. Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar se raportimet për Covidin nuk do jenë më ditore, por do jenë përmbledhje mujore.

Klan News