Zv. Kryeministri i Republikës së Maqedonisë, Abdulaqim Ademi vizitoi sot zonat e përmbytura në qytetin e Shkodrës dhe u takua edhe zv. Kryeministrin dhe Ministrin e Punëve të Jashtme të Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta.

Ademi shprehu solidaritetin e qytetarëve të Maqedonisë për popullin e Shkodrës dhe qeverinë shqiptare. Ai tha se Shkupi zyrtar do të japë si fillim një ndihmë teknike me anë të një ekipi prej 43 profesionistësh që do të jenë të gatshëm të ndihmojnë qeverinë shqiptare në menaxhimin e situatës.

Zv. Kryeministri Ilir Meta falenderoi homologun e tij për solidaritetin dhe ndihmën e dhënë për popullin e Shkodrës, duke thënë: “Falenderoj qeverinë e Republikës së Maqedonisë për solidaritetin e treguar dhe ndihmën që i kanë dhënë Shqipërisë, shqiptarëve dhe popullit të Shkodrës. E njoftuam Ademin për situatën e krijuar dhe falenderojmë edhe një herë qeverinë e Maqedonisë për gatishmërinë që kjo ndihmë për qeverinë shqiptare të vazhdojë edhe më tej”.

Për funksionarin maqedonas niveli i ujit në Liqenin e Ohrit është në kuotën maksimale, por derdhja është në sasinë minimale. “Sytë e gjithë shqiptarëve sot janë drejtuar nga Shkodra”, shtoi Ademi.

Tv Klan