Kualifikimi historik në raundin me eliminim direkt të Kupës së Botës ka marrë një goditje te Kepi i Gjelbër. Kapiteni i skuadrës, Ryan Mendes, është përfshirë në një hetim për një akuzë përdhunimi. Sipas gazetës braziliane Globo, ngjarja e dyshuar ka ndodhur në Zelandën e Re dhe policia e Aucklandit ka nisur një hetim që përfshin futbollistin.

Rasti është bërë publik pas denoncimit të një gruaje braziliane, e cila punonte si përkthyese për ekipin kombëtar të Kepit të Gjelbër gjatë një turneu në Oqeani në muajin mars. Sipas pretendimeve të saj, Mendes ka hyrë në dhomën e saj, e ka sulmuar fizikisht dhe më pas e ka përdhunuar.

Mediat braziliane kanë publikuar gjithashtu materiale ku pretendohet se shfaqen dëmtimet e pësuara nga gruaja pas incidentit. Ajo thuhet se ka informuar Federatën e Futbollit të Kepit të Gjelbër dhe FIFA-n, duke kërkuar që lojtari të largohej nga Kupa e Botës. Sipas raportimeve, ajo nuk ka marrë përgjigje të menjëhershme.

FIFA ka deklaruar se është në kontakt me autoritetet e Zelandës së Re dhe se i merr shumë seriozisht çdo akuzë për sjellje të papërshtatshme. Edhe Federata e Futbollit të Kepit të Gjelbër është përfshirë në polemikë, pasi Globo publikoi një bisedë në WhatsApp ku një zyrtar i federatës i referohej rastit si një “problem personal i Ryanit”.

Kjo situatë vjen në një moment historik për Kepin e Gjelbër, që ka arritur për herë të parë kualifikimin në fazën me eliminim direkt të Kupës së Botës.

Klan News

/tvklan.al