Vendos 6 kushte, opozita kundër Kryeministrit

“Kur e kemi shpallur pavarësinë thoshin se edhe pse Kosova i ka 93 përqind shqiptarë, s’mund të cilësohet shqiptare, por multietnike. Ama tash s’mund të bëhet asociacion njëetnik”.

Kjo është deklarata e një ditë më parë e kryeministrit Albin Kurti si kundërpërgjigje ndaj kërkesës së ndërkombëtarëve për pranimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Por Kurti, vetëm pas 24 orësh ndryshoi qëndrim para Parlamentit, duke pranuar të diskutohet për asociacionin, por duke i vënë 6 kushte.

Në fjalën e tij në parlament tha se asociacioni duhet të ndërrojë emrin, nuk mund të ketë asnjë pushtet publik dhe ekzekutiv dhe duhet t’i shërbejë vetëm bashkëpunimit horizontal të komunave.

“Asociacioni është pjesë e marrëveshjes finale dhe zbatohet pas njohjes reciproke”, tha Kurti.

Por ky qëndrim i lëkundur shkaktoi reagimin e menjëhershëm të opozitës, duke e cilësuar Kurtin si të pavetëdijshëm në atë çfarë po kërkon realisht, sa i përket kërkesave të ndërkombëtarëve për planin franko-gjerman.

“Nuk ka polarizim më të madh në 2-3 fjali të tuat se sot. A je i vetëdijshëm se çfarë po flet”, tha Lumir Abdixhiku.

Bashkësia Ndërkombëtare është duke insistuar për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe madje zbatimi i marrëveshjeve të Brukselit është një ndër pikat e planit franko-gjerman. 

Tv Klan