Kosova duhet ta ndryshojë kursin e saj në raport me Maqedoninë, vlerësojnë analistët shqiptarë në Shkup pas skandalit të ndodhur me mosftesën e presidentit kosovar, Fatmir Sejdiu, në inaugurimin e presidentit të ri të Maqedonisë, George Ivanov.

Ata vlerësojnë se ky skandal do të reflektohet negativisht në zhvillimin e mëtutjeshëm të raporteve mes Shkupit dhe Prishtinës zyrtare.

Ismail Sinani: “Mosftesa e Sejdiut mund të lërë pasoja shumë të mëdha në raportet mes këtyre dy shteteve. Akoma pa u ndërtuar marrëdhëniet e fuqishme diplomatike mes Kosovës dhe Maqedonisë ndodh një incident diplomatik, i cili më së paku do t’i shkonte në favor politikës së qeverisë të Nikola Gruevskit.”

Lirim Dullovi: “Në qoftë se pala kosovare ka pak dinjitet do të thotë do të duhet të ndërmarrë ndonjë hap për t’iu kundërpërgjigjur kësaj loje, këtij poshtërimi që ia bënë edhe politikanët shqiptarë, edhe politikanët maqedonas nga ky shtet.”

Sipas analistit Ismail Sinani pjesën më të madhe të përgjegjësisë për mosftesën e Sejdiut e mbart partia shqiptare pjesëmarrëse në koalicionin qeveritar në Maqedoni.

Ismail Sinani: “Marrëdhëniet janë dëmtuar, janë dëmtuar ende pa u krijuar ashtu siç duhet mes këtyre dy shteteve fqinje, mirëpo faji për këtë skandal diplomatik bie mbi subjektin politik shqiptar”.

Ndërkaq për Lirim Dullovin, problematik është edhe fakti se në fjalimin e tij inaugurues presidenti i ri i Maqedonisë në asnjë vend nuk ka përmendur marrëveshjen e Ohrit, e cila ndërpreu konfliktin e vitit 2001 mes shqiptarëve dhe maqedonasve.

Lirim Dullovi: “Jo rastësisht dhe ai nuk mori votat e shqiptarëve dhe nuk është asnjë farë çudie pse në fjalimin e djeshëm ai nuk përmendi asnjë obligim që të do të ndërmerr ndaj votuesve shqiptarë, por njëkohësisht edhe marrëveshjen e Ohrit”.

Analistët shqiptarë në Maqedoni janë të mendimit të përbashkët se pa ndryshim të qasjes së politikës shqiptare në përgjithësi ndaj Maqedonisë nuk do të ndryshojë kurrë si…i politikës maqedonase. Nga Shkupi për TV Klan, Isen Saliu./tvklan.al

Gazetar: Isen Saliu