Pesë marinarët shqiptarë të ndaluar në një port të Libisë së bashku me kapitenin dhe dy marinarë malazezë janë në gjendje të mirë. Lajmin e konfirmojnë autoritetet shqiptare pas vendosjes së kontakteve me ato libiane.

Të premten anija e tyre Envi 1 me flamur Panamez u ndalua në portin e Zoura, nga rojet bregdetare të ushtrisë libiane. Në bord ndodhen 5 marinarët shqiptarë, Maliq Bushati, Avni Buzi, Artur Selimaj, Xhodet Çelaj dhe Jurgen Balla.

Kapiteni dhe dy drejtuesit e tjerë janë shtetas malazezë. Sipas këtij njoftimi ajo dyshohet se tranportonte mallra kontrabandë pasi ishte ngarkuar në mënyrë të paligjshme me rërë dhe zhavorr që përdoret si material ndërtimi. Burimet zyrtare thanë se anija ishte nisur bosh në 5 shtator nga Porti i Durrësit. Ajo ka tentuar të nisej drejt Maltës, por autoritetet kanë vendosur ta ndalin deri në sqarimin e çështjes.

Ministria jonë e punëve të Jashtme konfirmoi nisjen e negociatave me autoritetet libiane për sqarimin e cështjes dhe kthimin e tyre në atdhe. Ministria e Jashtme thotë se deri në këto momente marinarët shqiptarë kanë qëndruar të bllokuar në anije. Për këtë cështje është vënë në lëvizje edhe ambasada shqiptare në Kajro të Egjiptit që mbulon edhe Libinë. Kontake janë vendosur edhe me ambasadën libiane në Tiranë.  

Anija Envi 1, është e specializuar për transportin e mallrave. Ajo është pjesë e kompanisë” Delmore Ventures Ltd”, me qendër në portin e Durrësit. Tv Klan