Kampioni i sapokurorëzuar i Formula 1, Kimi Antonelli, ka zbuluar helmetën speciale me të cilën do të garojë në Çmimin e Madh të Brazilit.

Një dedikim i veçantë për legjendën e motorsportit, Ajrton Senna, dhe për vendin që e ka kthyer atë në një prej ikonave më të mëdha të Formula 1.

Antonelli prezantoi dizajnin e ri përmes rrjeteve sociale, në prag të seancave të para të provave të lira në Brazil.

Helmeta është një homazh për idhullin e tij, por edhe një shenjë respekti për tifozët brazilianë.

“Ja helmeta ime speciale për këtë fundjavë. Do të thotë shumë për mua. Është një homazh për idhullin tim dhe për Brazilin. Shpresoj ta pëlqeni aq sa më pëlqen mua”, u shpreh piloti italian.

Në dizajnin e veçantë, Antonelli ka ruajtur elementet karakteristike të helmetës së tij personale, duke shtuar ngjyrat ikonike të flamurit brazilian: të verdhën, jeshilen dhe blunë.

Këto janë edhe ngjyrat që identifikojnë helmetën legjendare të Ayrton Sennës. Megjithatë, piloti i Mercedesit nuk ka harruar as origjinën e tij italiane.

Një detaj i veçantë është edhe trikolori italian, i vendosur në elementin mbrojtës që pilotët e heqin gjatë garës kur u pengon shikimin.

Zgjedhja e Brazilit për të prezantuar këtë helmetë nuk është e rastësishme. Ajrton Senna mbetet një prej figurave më të dashura të sportit në këtë vend dhe një frymëzim për shumë breza pilotësh, mes tyre edhe Antonellin.

Italiani vjen në këtë garë pas një rezultati të rëndësishëm në Çmimin e Madh të Meksikës, ku siguroi vendin e tretë dhe titullin kampion Bote.

Klan News

/tvklan.al