Egnatia ka pësuar humbjen e parë në fazën e ligës së Conference League. Kampionët e Shqipërisë u mposhtën me rezultatin 2-0 në transfertën ndaj Craiovës në Rumani, në një sfidë ku vendasit e zgjidhën praktikisht gjithçka që në pjesën e parë.

Skuadra rumune goditi dy herë brenda tetë minutash, duke vënë në vështirësi të mëdha ekipin e Nevil Dedes.

Fillimisht ishte Cicaldau që zhbllokoi rezultatin në minutën e 24-t, ndërsa në të 32-tën Bancu dyfishoi shifrat, duke i dhënë Craiovës një avantazh të rëndësishëm.

Pas dy golave të pësuar, Egnatia u përpoq të reagonte dhe të rikthehej në lojë. Rrogozhinasit krijuan disa mundësi për të ngushtuar diferencën, duke provuar me Adjessan dhe Fernandon, por pa arritur të gjenin rrugën e rrjetës.

Problemet për skuadrën shqiptare u shtuan edhe në minutat e fundit të takimit. Eneo Bitri u përfshi fillimisht në një përplasje me një lojtar kundërshtar, duke u ndëshkuar me karton të verdhë nga arbitri Robertson.

Pak çaste më vonë, mbrojtësi kreu një tjetër ndërhyrje të gabuar dhe mori kartonin e dytë të verdhë, që u pasua me të kuqin.

Kështu, Egnatia e mbylli takimin me një lojtar më pak, duke e bërë edhe më të vështirë përpjekjen për të ndryshuar rezultatin.

Pavarësisht kësaj disfate, shpresat e Egnatias për të kaluar më tej në Conference League nuk janë shuar. Skuadra rrogozhinase ka grumbulluar deri më tani 2 pikë dhe renditet në vendin e 26-të në fazën e ligës.

Distanca me vendin e 23-të, që siguron një biletë për në fazën e play-off-it, mbetet e kapërcyeshme, ndërsa kampionët shqiptarë kanë ende tre ndeshje për të luajtur, ndaj Lincoln, Zalgiris dhe Bragës.

Egnatia duhet të reagojë në tre sfidat e mbetura nëse dëshiron të mbajë gjallë ëndrrën europiane dhe të sigurojë një vend në fazën e ardhshme të kompeticionit.

/tvklan.al