Rrjeti gjerman publik ARD/Das Erste është ndalur në vendin tonë nga jugu në veri nëpërmjet një reportazhi të detajuar për të treguar bukuritë, kulturën, historinë dhe gastronominë.
Përgjatë reportazhit gazetari André Gatzke nis një udhëtim me makinë nëpër jugun e vendit tonë mes maleve, rivierës së kaltër dhe një prej lumenjve të fundit të egër të Evropës, Vjosa duke bërë rafting.
Ndalesa e parë për të soditur bukuritë e rivierës së detit jon është nëpërmjet paraglajding, ku gazetari gjerman i ARD mbetet i mahnitur nga panorama që sheh nga lart.
Në reportazhin me titull “Bukuritë”, televizioni publik gjerman ARD teksa ndalet në Dhërmi, nënvizon se bregdeti dhe plazhet janë të ngjashëm me vendet fqinje dhe uji është thjesht i mrekullueshem. Kjo zonë sipas gazetarit André Gatzke vijon gjithnjë e më shumë të tërheqë turistë nga vende si Franca, Spanja dhe Holanda.
Në vëmendjen e ARD/Das Erste është edhe një ndalesë tek kalaja e Ali Pashës në Porto Palermo. Ku tregon gjithë historikun e saj dhe se si ky monument historik është kthyer në një destinacion i preferuar nga turistë të vendeve të ndryshme.
Një nga plazhet më të bukura të vendit tonë nuk mund ti shpëtonte vëmendjes së medias gjermane, Ksamili. Një nga destinacionet më të lakmuara dhe të preferuara nga turistët e huaj që vit pas viti është edhe viral falë mediave sociale.
Gazetari i ARD befasohet nga uji i kristaltë i Ksamilit dhe e meriton të konsiderohet si Karaibet e Europës.
Një ndalesë tjetër është zona historike e Butrinitit. Kjo pikë historike, kulturore ku ndërthuren periudha të ndryshme është një nga vendet që tërheq vizitorë të shumtë përgjatë gjithë vitit, por në stinën e verës ka më shumë flukse.
Në reportazhin e rrjetit gjerman publik ARD/Das Erste një vëmendje e madhe i kushtohet edhe Vjosës lumit të fundit të egër të Evropës.
Gazetari André Gatzke mahnitet teksa sheh lumin e egër që rrjedh i lirë duke ofruar një ekosistem unik në Europë ku prej 2023 është shpallur park kombëtar dhe tashmë është edhe zonë e mbrojtur.
Shumë vizitorë e preferojnë Vjosën edhe për rafting në çdo stinë të vitit, sport të cilin e provoi edhe gazetari ARD.
Në përmbyllje të reportazhit të rrjetit gjerman publik ARD/Das Erste ndalesa është në kryeqytetin shqiptar, Tiranën ku gjenden ndërtesa historike të periudhave të ndryshme por dhe ato moderne të ditëve të sotme.
Padiskutim Sheshi “Skënderbej” është një nga pikëtakimet e të huajve sikurse edhe e ekipit gjerman të ARD.
Gjithashtu një nga godinat moderne që preferohet nga turistët e shumtë ishte pjesë e reportazhit “Bukuritë” në televizionin publik gjerman Piramida, i cili thekson se kjo është kthyer njëherësh edhe si një qendër multifunksionale, kulturore dhe teknologjike.
Klan News
/tvklan.al












Botërori 2026 
