Rrjeti gjerman publik ARD/Das Erste është ndalur në vendin tonë nga jugu në veri përmes një reportazhi të detajuar, për të treguar bukuritë, kulturën, historinë dhe gastronominë. Gjatë reportazhit, gazetari André Gatzke nis një udhëtim me makinë nëpër jugun e vendit tonë mes maleve, Rivierës së kaltër dhe një prej lumenjve të fundit të egër të Evropës, Vjosës, duke bërë rafting.

Ndalesa e parë për të soditur bukuritë e Rivierës së Detit Jon është përmes paraglajdingut, ku gazetari gjerman i ARD mbetet i mahnitur nga panorama që sheh nga lart.

Në reportazhin me titull “Bukuritë”, televizioni publik gjerman ARD, teksa ndalet në Dhërmi, nënvizon se bregdeti dhe plazhet janë të ngjashëm me vendet fqinje dhe uji është thjesht i mrekullueshëm. Kjo zonë, sipas gazetarit André Gatzke, vijon gjithnjë e më shumë të tërheqë turistë nga vende si Franca, Spanja dhe Holanda.

Në vëmendjen e ARD/Das Erste është edhe një ndalesë te Kalaja e Ali Pashës në Porto Palermo, ku tregohet gjithë historiku i saj dhe se si ky monument historik është kthyer në një destinacion të preferuar nga turistë të vendeve të ndryshme.

Një nga plazhet më të bukura të vendit tonë nuk mund t’i shpëtonte vëmendjes së medias gjermane: Ksamilit. Një nga destinacionet më të lakmuara dhe të preferuara nga turistët e huaj, që vit pas viti është bërë viral falë mediave sociale. Gazetari i ARD befasohet nga uji i kristaltë i Ksamilit dhe e konsideron si “Karaibet e Europës”.

Një ndalesë tjetër është zona historike e Butrintit. Kjo pikë historike e kulturore, ku ndërthuren periudha të ndryshme, është një nga vendet që tërheq vizitorë të shumtë gjatë gjithë vitit, por në stinën e verës ka më shumë fluks.

Në reportazhin e rrjetit gjerman publik ARD/Das Erste një vëmendje e madhe i kushtohet edhe Vjosës, lumit të fundit të egër të Evropës. Gazetari André Gatzke mahnitet teksa sheh lumin e egër që rrjedh i lirë, duke ofruar një ekosistem unik në Europë, i cili prej vitit 2023 është shpallur park kombëtar dhe tashmë është edhe zonë e mbrojtur.

Shumë vizitorë e preferojnë Vjosën edhe për rafting në çdo stinë të vitit, sport të cilin e provoi edhe gazetari i ARD.

Në përmbyllje të reportazhit të rrjetit gjerman publik ARD/Das Erste, ndalesa është në kryeqytetin shqiptar, Tiranën, ku gjenden ndërtesa historike të periudhave të ndryshme, por edhe ato moderne të ditëve të sotme. Pa dyshim, Sheshi “Skënderbej” është një nga pikëtakimet e të huajve, sikurse edhe e ekipit gjerman të ARD.

Gjithashtu, një nga godinat moderne të preferuara nga turistët e shumtë ishte pjesë e reportazhit “Bukuritë” në televizionin publik gjerman: Piramida, e cila theksohet se është kthyer njëherësh edhe në një qendër multifunksionale, kulturore dhe teknologjike.

Tv Klan

/tvklan.al