Arkiva Lajme – Tv Klan 1999

Arrestohet Mustafa Leka, ish-bossi i firmës piramidale “M. Leka”. Sot në mesditë Policia Kriminale dhe ato të Ndërhyrjes së Shpejtë, të komsariateve 2 dhe 3 të kryeqytetit, kanë arritur më në fund të vënë prangat në duar ish-bossit të piramidës “M. Leka”.

Mustafa Leka ka qenë prej dy vjetësh person i shpallur në kërkim nga policia shqiptare, pas një fletë arresti për të nga Prokuroria e Përgjithshme. Akuza për “M. Lekën”, ishte pak a shumë e njëjtë si ato të bosave të tjerë të firmave piramidale. Vjedhje të shumave të mëdha me anë të mashtrimit. Por ashtu si pjesa më e madhe e kolegëve të tij edhe bossi i “M. Lekës”, pas prerjes së fletë-arrestit nga prokuroria u arratisë jashtë shtetit, duke vënë në lëvizje dhe strukturat e Interpolit Ndërkombëtar.

Ka qenë pikërisht Interpoli që ka sinjalizuar policinë shqiptare se Mustafa Leka është rikthyer në Tiranë. Pas hartimit të operacionit tepër sekret policia sot ka mundur të arrestoj Mustafa Lekën në një banesë në qendër të Tiranës. Vila e tij pranë Kinostudios, që prej arratisjes jashtë shtetit është sekuestruar nga policia.

Pas arrestimit ku Forcat Speciale nuk hasën në ndonjë rezistencë, Mustafa Leka është siguruar në qelitë e burgut 313, të kryeqytetit. Me arrestimin e ish-bossit të piramidës “M. Leka”, shtohen numri i bosave të tjerë të arrestuar. Pas Vebi Alimuçaj e Sudes, Shemsie Kadrisë që u arrestua pak ditë më parë në Turqi, etj, Mustafa Leka ka provuar prangat e policisë shqiptare dhe ashtu si të tjerët do duhet të përballen me akuzën e mashtrimit në shuma të mëdha që llogaritet deri në 7 milion dollarë.

Mustafa Lekës në shtëpinë ku u arrestua sot ju gjetën dhe dokumetat me shifra të dhëna mbi debitorët e tij dhe sipas prokurorit që po merret me këtë çështje Ajaz Gjeta, nëse ish-bossi i M. Lekës ka mudësi financiare të paguaj kesh debitorët e tij atëhere ai edhe mund të lirohet nga burgu. Ndërkohë deri sa çdogjë të sqarohet Mustafa Leka do të qëndrojnë në burgun 313./tvklan.al

Gazetar – Eduart Frangaj