Një marins amerikan është arrestuar në Japoni, nën dyshimin për vrasjen e një gruaje 39-vjeçare, trupi i së cilës u gjet të shtunën në mëngjes në një hotel në qytetin Naha, në Okinaua.
Sipas transmetuesit japonez NHK, viktima është identifikuar si Yagi Anna, ndërsa i dyshuari është Devin Jacob Ballard, 20 vjeç, i cili shërben në bazën e Trupave të Marinës amerikane në Futenma.
Kryeministrja japoneze Sanae Takaichi e cilësoi ngjarjen si një grabitje dhe vrasje „brutale dhe të neveritshme“, ndërsa i kërkoi SHBA-ve të forcojë disiplinën e personelit të saj ushtarak në Japoni.
Trupat e Marinës amerikane deklaruan se po bashkëpunojnë aktivisht me autoritetet japoneze për hetimin dhe shprehën ngushëllimet për familjen e viktimës.
Ministri japonez i Mbrojtjes, Shinjiro Koizumi, tha se ngjarje të tilla janë „krejtësisht të pafalshme“ dhe shkaktojnë shqetësim të madh te komuniteti lokal. Ambasadori amerikan në Tokio, George Glass, u thirr nga Ministria e Jashtme japoneze për të diskutuar incidentin.
Okinaua pret disa baza ushtarake amerikane dhe dhjetëra mijëra trupa të SHBA-ve. Guvernatori i Okinauas, Genta Koja, tha se incidenti tregon se masat e SHBA-ve për disiplinimin dhe edukimin e personelit nuk kanë qenë efektive.
/tvklan.al












Botërori 2026 
