Kërkimet në Malësinë e Madhe për gjetjen e babë e bir janë ndërprerë. Ata rezultojnë të zhdukur prej mesditës të kësaj të diele, pasi makina me të cilën udhëtonin u morr përpara nga uji i një përroi. Gazetarja Emi Kalaja thotë se kërkimet u ndërprenë për shkak se rruga në Bogë është e pakalueshme. Deri më tani, përpjekjet e autoriteteve kanë qenë të pasuksesshme, duke qenë se ka vërshime shumë të mëdha të ujit.

“Ditën e nesërme në mëngjes do të ketë kërkime vetëm përmes dronëve, pasi polumbarët e kanë të pamundur të hyjnë në ujërat e vërshueshëm në zonën e Malësisë së Madhe. Do të bëhet kërkim më i specializuar në mënyrë që të gjenden gjurmë fillimisht të automjetit dhe duke shpresuar që më pas të gjenden edhe babë e bir. Deri në këto momente ata rezultojnë të zhdukur”, tha gazetarja.

Ngjarja në fjalë ndodhi rreth mesditës në vendin e quajtur “Grykë Lugje”, në njësinë administrative Shkrel. 50-vjeçari Pjetër Rushaj duke drejtuar një automjet, me të cilin udhëtonte edhe djali dhe vajza e tij, ka tentuar të kalojë përroin.

Por prurjet e mëdha të ujit kanë marrë përpara automjetin së bashku me tre personat në bord. Policia, duke iu referuar dëshmive të personave të tjerë në vendngjarje raporton se vajza ka mundur të dalë nga makina dhe më pas është ndihmuar nga një banor i zonës. Ndërkohë që babai dhe vëllai i saj i ka marrë rrjedhja e ujit./tvklan.al