Një grup shkencëtarësh në Izrael pretendojnë se ushqimet që janë të mbushura me baktere të mira, të quajtura probiotikë, janë pothuajse të padobishme.

Studimi i tyre është ndër analizat më të hollësishme të asaj që ndodh kur konsumojmë probiotikë. Ata janë konsideruar si të shëndetshëm dhe të mirë për zorrën, por nga studimi rezulton se ata kanë pak ose aspak efekt në trupin e njeriut.

Ekipi i Institutit të Shkencave të Weizmann realizuan një kokteil probiotikësh duke përdorur 11 baktere të mira të zakonshme, përfshirë llojet e Lactobacillus dhe Bifidobacteria.

Ata iu dhanë 25 vullnetarëve të shëndetshëm për një muaj, shkruan BBC. Më pas nga ata u morën mostra nga pjesë të ndryshme të stomakut dhe në zorrën e trashë si edhe në zorrën e hollë. Studiuesit donin të shihnin se ku kolonizoheshin bakteret dhe nëse ata ndikonin në ndryshimin e aktivitetit të zorrëve.

Rezultatet e botuara në revistën Cell, treguan se në gjysëm e rasteve bakteret e mira kalonin nga goja dhe nxirreshin menjëherë nëpërmjet jashtëqitjes. Në pjesën tjetër të rasteve, ata qëndronin pak kohë para se t’iu bashkoheshin mikrobeve ekzistuese.

Dr Eran Elinav, një nga pjesëmarrësit në studim, tha se ishte e gabuar të pritej që një priobiotik i caktuar të funksionojë në trupin e çdokujt.

Ai thotë se në të ardhmen probiotikët duhet të përshtaten me nevojat e pacientëve individualë.

Ka pasur disa përfitime të provuara të probiotikëve, sidomos në mbrojtjen e foshnjave që lindin parakohe. Dhe ka shumë shpresa që të kuptuarit e marrëdhënieve komplekse mes mikrobeve dhe pjesë të trupit të njeriut do të çojë në trajtime të reja.

/tvklan.al