“Nuk do të hasim probleme në ndërtimin e tunelit të Llogarasë”

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, deklaroi këtë të enjte se projekti për tunelin e Llogarasë është për t’u marrë shembull. Fituesi i këtij projekti sipas saj, do të krijojë në standard të ri dhe me konsorciumin austriak nuk do të hasen probleme.

“Projektet janë bërë me studim. Ashtu siç bëmë projektin e Llogarasë vetëm para pak ditësh. Pra një garë për t’u marrë shembull, me 7 kompani me konsorciume të mëdha europiane, të cilat kanë ndërtuar tunelet më të mëdha në Europë. E gjetën tregun shqiptar interesat për shkak të garës që qeveria shqiptare ka ndërtuar prej vitesh. Nga momenti që kemi një dokument të kësaj cilësie që do të ndërtohet nga konsorciumi austriak nuk do të hasim probleme që hasim sot në ndërtimin e veprave publike. E them sot sepse nuk mund të niset një vepër me rëndësi për vendin pa pasur një studim të mirëfilltë”, tha Balluku.

Balluku u shpreh se qeveria është e përgjegjshme dhe ka treguar që di të mirëmbajë rrugët.

“Moglica qëndron e hapur gjatë gjithë vitit, rrugët rrëshqasin në të gjithë botën. Aftësia e një shteti për sa i përket aftësisë rrugore varet nëse janë të hapura apo bllokohen. Ne kemi treguar që jemi të përgjegjshëm. Kemi treguar që mirëmbajtjet e rrugëve si ato malore edhe ato me problematika dhe rrëshqitje kryhen siç duhet dhe bllokimet nuk zgjasin më pak se 30 minuta për të hapur rrugën. Qukës-Qafë Plloça është një rrugë me problematikë të madhe. Si të gjitha projektet që kemi trashëguar. Nëse duhet mbajtur përgjegjësi, patjetër që duhet mbajtur edhe ata që e projektuan edhe ata që parashikuan rrëshqitjen. Duhet të kuptoni vështirësitë financiare që hasim, mungesën e fondeve nga buxheti i shtetit”, tha Balluku./tvklan.al