Siguria e parave dhe e pagesave në vend po përgatitet të kalojë në një nivel tjetër, falë një ligji të ri të propozuar nga Ministria e Financave që synon të mbyllë të gjitha boshllëqet që ekzisojnë në ligjin aktual.

Qëllimi kryesor është që sistemi financiar të jetë i mbrojtur dhe i qëndrueshëm, edhe nëse një bankë apo kompani ndodhet në vështirësi.

“Ligji synon forcimin e stabilitetit financiar, përmes rritjes së sigurisë dhe qëndrueshmërisë së sistemeve të pagesave dhe të shlyerjes së letrave me vlerë. Kjo do të thotë se paratë dhe transaksionet do të kenë mbrojtje të plotë ligjore, duke ndjekur standardet më të mira të Bashkimit Europian. Për më tepër, ligji përcakton qartë se urdhër-transfertat dhe pagesat mbeten të vlefshme dhe të ekzekutueshme, edhe nëse një pjesëmarrës falimenton. Në këtë mënyrë, i gjithë qarkullimi i parave në treg mbrohet nga çdo rrezik i papritur sistemik”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Financave.  

Përveç kësaj, ligji sjell mundësi të reja për bankat, duke i lejuar ato të përdorin kreditë ekzistuese si garanci për të marrë fonde dhe për të rritur paratë në qarkullim.

“Kjo arrihet duke përfshirë pretendimet kreditore si formë e re kolaterali, me rregulla të qarta se si regjistrohen dhe si njoftohen debitorët. Gjithashtu, ligji njeh të drejtën e mbylljes përfundimtare të llogarive (close-out netting), ku në rast mospërmbushjeje, detyrimet llogariten menjëherë neto si një shumë e vetme. Për më tepër, shtohen tri mënyra të qarta se si mund të shitet ose përdoret garancia pa pasur nevojë për gjykatë”, njofton Ministria e Financave.  

Kështu, me rregulla të reja dhe më të qarta, e gjithë struktura e pagesave bëhet më e sigurt dhe më e besueshme për të gjithë.

/tvklan.al