Barcelona ia doli të mundë 3 – 0 Juventusin në “Camp Nou” në sfidën e parë të grupeve në Champions. Një meritë e Lionel Messit, i cili shënoi 2 gola dhe ndihmoi Ivan Rakitiç të realizonte të tretin.

Juventus përballoi presionin e katalanasve deri në minutën e 45-të të lojës, ku mbrojtja italiane u dorëzua. Një nisje perfekte e Barcelonas që tregoi se kërkon të rimarrë trofeun e Champions League. Roma barazoi pa gola me Atletico Madrid pavarësisht presionit të ekipit spanjoll. Rezultati më i thellë i mbrëmjes ishte fitorja 6 – 0 e Chelsea me Qarabag debutues që nuk kishte Ansi Agollin në fushë për arsye dëmtimi.

Spektakël edhe në Gllazgou ku Paris Saint Germain mundi 5 – 0 Celtic. Treshja sulmuese e ekipit francez Neymar-Mbappe-Cavani i dhanë tonin sfidës me golat e tyre. Bayern Munchen mundi 3 – 0 Anderlecht. Me të njëjtin rezultat Manchester United fitoi me Baselin e Taulant Xhakës. Humbje në shtëpi 3 – 2 për Olympiakos e Besnik Hasit në përballjen me Sportin Lisbon, ndërsa CSKA Moskow fitoi 2 – 1 me përmbysje në fushën e Benficas./Tv Klan