Pak ditë pasi u rikonfirmua në krye të Partisë Demokratike, Lulzim Basha mblodhi 43 deputetët e rinj dhe paralajmëroi nisjen e një opozite të fortë ndaj qeverisë Rama. Në këtë betejë opozitare, derën e bashkëpunimit e la hapur për këdo që nuk është pjesë e pazareve, përfshi këtu edhe partinë tjetër opozitare, LSI-në.

“Jemi gati të bashkëpunojmë me këdo që është gati të bëjë opozitën për të cilën ka kaq shumë nevojë ky vend, dhe jo pazar-opozitë. Opozita është me kohë të plotë dhe jo me kohë të pjesshme”,

tha Basha pas mbledhjes.

Betejën për zgjedhje të lira e të ndershme, Basha tha se do ta vijojë në rrugë institucionale ndonëse thotë se marrëveshja e 18 majit nuk funksionoi.

“Beteja për zgjedhje të lira dhe të ndershme do të jetë një nga betejat kryesore së bashku me betejën për një ndarje të drejtë territoriale që u përgjigjet interesave të qytetarëve dhe jo të politikës grabitqare dhe me reformat e tjera të rëndësishme për vendin. E sigurt është se opozita jonë do të jetë institucionale, parlamentare por do të jetë po kështu opozita aktive qytetare që do shtrihet në çdo hapësirë për të luftuar për të drejtat e  qytetarëve”,

u shpreh kryedemokrati.

Basha premton edhe analizë për humbjen e zgjedhjeve, por pa prerje kokash.

“Analiza bëhet në dy nivele, jo në nivelin sovjetik, por në atë të analizimit të fakteve. PD do dalë përmes një reflektimi të thellë dhe ju ftoj të gjithëve të mbajmë vëmendjen tek ajo që ka nevojë Shqipëria, pra tek një opozitë e fortë dhe reale”,

theksoi Basha.

Teksa angazhohet për opozitë të fortë kundër qeverisë, Lulzim Basha vazhdon të mbajë në qeverinë Rama 6 ministra teknikë dhe zëvendësKryeministren. I pyetur se kur do të largohen, jep këtë përgjigje.

“Ministrat kanë gati dorëheqjet dhe kanë përgatitur raportet për ditët që kanë qenë në krye të detyrës”,

shtoi ai.

Pjesë e betejës opozitare është edhe nisja e një turi në rreth, detyrë me të cilën Lulzim Basha ngarkoi të zgjedhurit e rinj demokratë. TV KLAN