Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla, ka mbajtur një konferencë të përbashkët për shtyp me homologun e Kosovës, Armend Muja.

Fokus i diskutimit ishte gjithashtu rritja e konkurrueshmërisë së produkteve, mbështetja e fermerëve dhe përafrimi me standardet e Bashkimit Evropian.

Salla, theksoi se bashkëpunimi mes Shqipërisë dhe Kosovës do të forcojë shkëmbimin e përvojave dhe zhvillimin e iniciativave të përbashkëta në mbështetje të fermerëve. Ai nënvizoi se marrëveshja synon promovimin e produkteve agroushqimore dhe rritjen e konkurrueshmërisë së tyre, duke zgjeruar praninë në tregjet rajonale dhe ndërkombëtare.

“Bashkëpunimi ndërmjet institucioneve tona merr një rëndësi të veçantë, duke krijuar mundësinë e shkëmbimit të përvojave midis dy vendeve dhe forcimin e kapaciteteve për zhvillimin e iniciativave të përbashkëta në interes të fermerëve.

Marrëveshja për marketimin dhe promovimin e produkteve agroushqimore synon rritjen e konkurrueshmërisë së produkteve tona, forcimin e pranisë së tyre në tregjet rajonale dhe ndërkombëtare”, tha Salla.

Muja u shpreh se Kosova i ka vënë Shqipërisë në dispozicion njohuritë dhe përvojën e saj në prodhimin e verërave.

“Ne Republikës së Shqipërisë i kemi vënë në dispozicion gjithë njohurinë, arkivën, inventarin dhe praktikën në prodhimin e verërave. Sigurisht, Kosova është e interesuar të përfitojë nga njohuria te institutet dhe në aspektin e farave, e të gjitha aspekteve të prodhimit bimor. Kjo i shërben dhe i mundëson prodhuesve në Kosovë të përfitojnë, apo të tejkalojnë sfidat që i vështirësojnë rendimentin bujqësor”, tha Muja.

Ministri i Kosovës bëri të ditur se po rishikohen të gjitha barrierat administrative që pengojnë lëvizjen e lirë të mallrave midis dy vendeve. Ai theksoi interesin për rritjen e qarkullimit të produkteve shqiptare në Kosovë, si dhe mbështetjen e prodhuesve vendas në tregun shqiptar. Sipas tij, procesi synon fillimisht digjitalizimin e kontrollit dhe më pas heqjen e pengesave, në përputhje me frymën evropiane të integrimit ekonomik.

“Në bashkëpunim me ministrin Salla, jemi duke rishikuar të gjitha barrierat e mundshme administrative që pengojnë lëvizjen e lirë të mallrave. Jemi të interesuar që sa më shumë mallra nga Shqipëria të qarkullojnë në Kosovë lirshëm, sikurse edhe ne jemi të interesuar që të avancojmë interesat e prodhuesve tanë atje. Për këtë po vazhdon diskutimi, që fillimisht të digjitalizohet i gjithë procesi i kontrollit dhe pastaj të hiqen të gjitha pengesat, ashtu siç e parasheh fryma evropiane. Jemi të bindur se kjo do të jetë një pjesë kulmore e këtij bashkëpunimi”, tha Muja.


Shtyhet me 10 ditë Skema Kombëtare

Ministri Salla bëri të ditur se Skema Kombëtare e mbështetjes për fermerët do të shtyhet me 10 ditë, për t’u dhënë më shumë kohë aplikimi fermerëve, pas rritjes së numrit të aplikimeve në ditët e fundit.

Ai theksoi gjithashtu se po përfshihen edhe pagesat për faturat e grumbulluara në gjashtëmujorin e parë, të cilat do të kalojnë në proces pagesash pas verifikimeve përkatëse nga sistemi tatimor.

“Jemi duke mbështetur fermerët përmes Skemës Kombëtare. Dua të them nga sot që ne do ta shtyjmë edhe 10 ditë skemën kombëtare për t’u dhënë mundësi fermerëve, duke pasur parasysh që këto ditë të fundit kemi pasur rritje të ndjeshme të aplikimeve. Deri në datën 6 korrik, për të pasur fermerët kohën e mjaftueshme të aplikojnë dhe të jenë pjesë e Skemës Kombëtare.

Nga kjo, jo vetëm nga Skema Kombëtare, por edhe ndaj 10% që ne kemi për të grumbulluar faturat e para në 6-mujorin e parë që do kalojnë në pagesa. Është një shifër e konsiderueshme që do ta bëjmë publike për pak ditë dhe nga sistemi i tatimeve për të grumbulluar të gjitha faturat që janë deri tani të depozituara, për t’i kaluar ato në pagesa”, tha Salla.


Fondet IPARD, ministri Salla jep lajmin: Presim delegacionin për të dakordësuar

Ministri u shpreh se po pritet një delegacion për të finalizuar dakordësimin mbi fondet e IPARD-it, duke theksuar se procesi është në progres dhe pritet të përmbyllet së shpejti, si pjesë e mbështetjes për fermerët shqiptarë.

“Ne kemi rreth 40 mijë fermerë që kanë aplikuar deri tani, në 12 masat që ne kemi janë interesuar për të aplikuar. Është vendosur që të shtyhen me 10 ditë deri në datën 6 korrik afati, për t’u dhënë mundësi fermerëve për të aplikuar. Presim një delegacion për të dakordësuar lidhur me fondet për IPARD. Jemi në progres e sipër, është një proces pozitiv dhe presim që IPARD të dakordësohet sa më shpejt. Prandaj janë disa komponentë mbështetës për fermerët shqiptarë”, u shpreh ministri.

Kujtojmë se për shkak të parregullsive dhe keqpërdorimeve të konstatuara, Komisioni Evropian vendosi në korrik 2023 të ndërpresë mbështetjen për Shqipërinë, duke penguar hapjen e IPARD III. Ndërkohë, fondet për fermerët përfitues të IPARD II, që i përkisnin periudhës 2014-2022, janë përmbyllur dhe kapin gjithsej 94 milionë euro.

Mungesën e mbështetjes nga IPARD e ka mbuluar buxheti i shtetit përmes Skemës së Investimeve, e lançuar vitin e shkuar dhe që vijoi edhe këtë vit, si dhe përmes skemës kombëtare të subvencioneve për bujqësi dhe blegtori.

/tvklan.al