Bayern Munich ka zyrtarizuar rinovimin e kontratës me sulmuesin anglez Harry Kane. Kapiteni i Anglisë ka firmosur një marrëveshje të re që do ta mbajë në Mynih deri më 30 qershor 2029.
Vendimi i klubit bavarez vjen pas paraqitjeve fantastike të 33-vjeçarit, i cili që prej transferimit nga Tottenham Hotspur në verën e vitit 2023 është kthyer në një nga lojtarët më të rëndësishëm të skuadrës, duke e kurorëzuar edhe me fitimin e Këpucës dhe Topit të Artë 2026.
“Ndihem si në shtëpi. E dua klubin, tifozët dhe qytetin e Mynihut. Ne kemi një ekip fantastik dhe një trajner fantastik. Më bën shumë krenar që jam pjesë e këtij klubi. E gjithë familja ime është shumë e lumtur këtu. Doja shumë të qëndroja. Tani mezi pres të ardhmen dhe dua të fitoj shumë tituj të tjerë me këtë klub të madh”, tha Kane.
Në 161 ndeshje zyrtare me fanellën e Bayern-it, Kane ka realizuar plot 156 gola, duke vendosur rekorde në futbollin gjerman dhe në kompeticionet evropiane.
Gjatë qëndrimit në Mynih, sulmuesi ka fituar dy tituj të Bundesligës, Kupën e Gjermanisë dhe dy Superkupa Franz Beckenbauer.
Ai gjithashtu është shpallur golashënuesi më i mirë i Bundesligës në çdo sezon me klubin, ndërsa ka fituar dy herë Këpucën e Artë të Evropës, në sezonet 2023/24 dhe 2025/26.
Sipas mediave gjermane, rinovimi shoqërohet edhe me një pagë rekord. Kane do të përfitojë më shumë se 25 milionë euro në vit, duke u bërë lojtari më i paguar në historinë e Bayern Munich, por edhe lojtari me pagën e garantuar më të lartë në futbollin evropian, megjithëse disa futbollistë mund të përfitojnë më shumë përmes bonuseve.
Negociatat për kontratën e re kanë zgjatur tetë raunde bisedimesh me babanë dhe vëllanë e sulmuesit përpara se palët të arrinin marrëveshjen, pasi Kane dhe përfaqësuesit e tij kërkuan një kontratë deri në vitin 2030, ose të paktën mundësinë e zgjatjes deri në atë datë.
Megjithatë, marrëveshja përfundimtare parashikon qëndrimin deri në vitin 2029, me Bayern-in që ka bërë lëshime në aspektin financiar dhe të drejtave të imazhit.
Pavarësisht moshës së sulmuesit, drejtuesit bavarezë nuk e konsiderojnë këtë domosdoshmërisht kontratën e tij të fundit me klubin.
Me këtë rinovim, Bayern dërgon një mesazh të qartë për ambiciet e tij, duke siguruar vazhdimësinë e një prej futbollistëve më vendimtarë të skuadrës për të paktën tre sezone të tjera.
Klan News
/tvklan.al












Botërori 2026 
