26 janar 2026 – Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, në ceremoninë e hapjes së vitit të ri gjyqësor theksoi rëndësinë e një drejtësie të pavarur, funksionale dhe me integritet.

Ai deklaroi se epoka e pandëshkueshmërisë ka filluar të marrë fund, ndërsa raportet ndërkombëtare dhe mediat tha “se me të drejtë i kushtojnë vëmendje të veçantë aktivitetit të SPAK-ut dhe Gjykatës së Posaçme”.

“Drejtësia funksionon kur respektohet, jo vetëm kur deklarohet”, u shpreh Kreu i Shtetit.

Presidenti nënvizoi rolin thelbësor të KLGJ (Këshilli i Lartë Gjyqësor), KLP (Këshilli i Lartë i Prokurorisë), ILD (Inspektoriati i Lartë të Drejtësisë) dhe Shkollës së Magjistraturës në funksionimin e sistemit të drejtësisë. Ai shtoi se çështjet administrative, buxhetore dhe proceduriale kërkojnë bashkëpunim institucional për suksesin e reformës në drejtësi.


Duke iu drejtuar magjistratëve, Begaj tha se i kupton sfidat e sistemit, por qytetarët presin vendime të drejta dhe në kohë të arsyeshme.

“Drejtësia që të funksionojë i duhet kushte optimale, por mungesa e tyre nuk duhet të na bëjë të harrojmë se para së gjithash drejtësia është ideale”, tha ai.

Duke renditur problematikat e zvarritjeve të çështjeve dhe perceptimin te qytetarët e një impakti negativ për jetën, të drejtat, pronën, Presidenti i Republikës inkurajoi gjyqtarët t’u japin fund këtyre praktikave.

“Në institucionet e së drejtës nuk ka vend për tranzicion”, u shpreh Begaj, duke theksuar se “e drejta nuk negociohet”.

Presidenti përmendi gjithashtu ngjarjen e rëndë të vrasjes së gjyqtarit Astrit Kalaja dhe theksoi se pavarësia, siguria dhe respekti janë mjetet për të realizuar qëllimin e reformës në drejtësi, duke shtuar se shumë vendime varen nga qeveria dhe Parlamenti, por ato që janë në dorë të magjistratëve janë themelore për reformën.

Kreu i GJL: Drejtësia që vonon rrezikon të kthehet në padrejtësi

Fjalën e tij e mbajti edhe kreu i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi. Ai tha se duhet që gjykatat të tregojnë paanësi dhe që drejtësia të jetë e arritshme për qytetarët.

Thënë kjo, Sadushi kërkoi sërish nga gjyqtarët që të angazhohen që vendimet për çështjet gjyqësore të mos i zvarrisin pasi “një drejtësi që vonon, rrezikon të kthehet në padrejtësi”.

“Besimi i qytetarit tek shteti rrallë nis me deklarata. Zakonisht nis në sallën e gjyqit ku një person sjell një konflikt dhe pret të dëgjohet me paanësi. Gjykatat tregojnë nëse ligjshmëria është më shumë se një aspiratë. Për shumë qytetarë drejtësia është kontakti më i drejtëpërdrejtë me shtetin.

Drejtësia duhet të jetë e arritshme për qytetarin, brenda një kohe të arsyeshme dhe me dinjitet. Kur sistemi mbingarkohet dhe qytetari nuk arrin dot në kohë tek drejtësia, pavarësia zbehet në aspektin e saj më kryesor, mbrojtjen reale të të drejtave.

Për vitin gjyqësor që hapim sot angazhimi ynë duhet të jetë i dukshëm në disa drejtime. Qartësia dhe arsyetimi i vendimit, koha e arsyeshme. Drejtësia që vonon rrezikon të kthehet në padrejtësi. Sistemi gjyqësor përballet me një stok çështjesh të prapambetura. Janë qytetarë që presin, çështje që zvarriten dhe mbeten pezull”, deklaroi ai. 

“Pavarësia nuk mund të jetë alibi”, Lamallari paralajmëron ILD-në

Ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari, vuri theksin te hendeku mes pritshmërive të qytetarëve pas Reformës në Drejtësi dhe funksionimit aktual të sistemit, veçanërisht në aspektin e llogaridhënies dhe disiplinës së magjistratëve.

Në fokus të kritikave të ministrit ishte Inspektoriati i Lartë i Drejtësisë, për të cilin ai deklaroi se nuk po përmbush siç duhet misionin kushtetues për garantimin e standardeve të larta profesionale dhe disiplinore në sistem. “Pavarësia e drejtësisë nuk mund dhe nuk duhet të keqpërdoret si alibi për mosveprim, për zvarritje apo për mungesë përgjegjshmërie”, u shpreh Lamallari, duke nënvizuar se ILD është krijuar pikërisht për të ushtruar kontroll dhe për të garantuar disiplinë, jo për të funksionuar si filtër bllokues ndaj ankesave të qytetarëve…(Lexo më shumë)