Dikur ndiqnin të njëjtin top në rrugët e Stourbridge, ndërsa sot ëndrra e tyre e përbashkët po bëhet realitet në skenën më të madhe të futbollit anglez.

Jude dhe Jobe Bellingham janë grumbulluar për herë të parë së bashku në Kombëtaren e Anglisë për dy sfidat e Ligës së Kombeve.

Trajneri Thomas Tuchel ka përfshirë në listë edhe 21-vjeçarin Jobe, mesfushorin e Borussia Dortmundit, përkrah vëllait të tij më të madh, Jude, yllit të Real Madridit.

Historia e tyre nis te Birmingham City, aty ku të dy hodhën hapat e parë në futboll. Pas largimit të Jude drejt Dortmundit, në vitin 2020, familja u nda mes Anglisë dhe Gjermanisë për të mbështetur karrierën e dy djemve.

Jude u shndërrua shpejt në një nga emrat më të mëdhenj të futbollit europian, ndërsa Jobe ndoqi rrugën e tij, nga Birmingham te Sunderland, përpara se në vitin 2025 të transferohej te Borussia Dortmund, i njëjti klub që kishte hapur dyert e suksesit për vëllain e madh.

Por Jobe ka dashur gjithmonë të krijojë identitetin e vet. Madje, në fanellë mban vetëm emrin Jobe dhe jo mbiemrin Bellingham, duke treguar se dëshiron të vlerësohet për atë që bën në fushë.

Paraqitjet me Dortmundin, ku ka arritur të shënojë edhe një gol, si dhe eksperienca me Anglinë U21, i kanë siguruar ftesën e shumëpritur nga Tuchel.

Kështu, për herë të parë, ai do të jetë në krah të vëllait të madh, Jude, i cili me fanellën e Real Madridit ka realizuar 51 gola, ndërsa me Kombëtaren angleze është shndërruar në një nga lojtarët kryesorë, me 14 gola të shënuar.

Anglia do të përballet me Kroacinë më 12 nëntor, në Wembley, dhe me Spanjën më 15 nëntor, në Madrid.

Klan News

/tvklan.al