05 tetor 2026 – Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka ftuar demokratët që t’i bashkohen protestës qytetare kombëtare të enjten para Kuvendit, ditën që pritet të mbahet seanca plenare.

Gjatë mbledhjes së Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Berisha theksoi se kjo protestë nuk është për partinë, por për interesat e Shqipërisë.

Protesta theksoi Berisha është thirrur për të kundërshtuar reformën territoriale të propozuar nga Partia Socialiste, e cila parashikon “shkrirjen” e 15 bashkive duke e reduktuar numrin e tyre nga 61 që është aktualisht në 45.

Sipas tij, protestuesit nuk do të mbajnë simbole partiake pasi kauza është kombëtare.

“Demokrate e demokratë nga Tirana dhe mbarë Shqipëria do jenë në protestën qytetare pa simbole, pa flamuj. Jemi protestë rinore qytetare për një kauzë jashtëzakonisht të madhe.

Protestohet kundër reformës territoriale, me të cilën ‘Padrinoja’ kërkon me një të rënë të lapsit, duke shkelmuar interesat e dhjetëra mijëra qytetarëve të shuajë edhe 15 bashki të tjera. Demokrate e demokratë, kudo që ndodheni, ajo është dita e qytetarëve, prandaj të ndodheni para parlamentit në orën 10:00.

U ftoj të vini tek të njohurit tuaj në Tiranë një ditë para në traditën më të mirë të protestave të fuqishme. Ftoj bizneset e Tiranës të mbështesin këtë protestë me të gjitha mundësitë e tyre. Është një protestë për çdo shqiptar, është një protestë për Shqipërinë. Nuk është një protestë për këtë apo atë parti. Ndaj dhe zonja e zotërinj deputetë, këto pak ditë që na ndajnë, takimet tuaja me elektoratin janë të një rëndësie të jashtëzakonshme për pjesëmarrjen masive maksimale në këtë protestë kundër ‘Padrinos’ dhe regjimit të narkoshtetit të tij”, tha ai.

Ai pohoi se Komisioni i Sigurisë duhet të hetojë çështjen e SHISH, ndërsa hodhi akuza ndaj kryeministrit Edi Rama.

“Ndaj dhe Komisioni i Sigurisë duhet të kërkojë urgjentisht të ndërmarrë hetim në lidhje me veprimtarinë në shkelje të Konventës së Vjenës dhe Kushtetutës të këtij grupi të strukturuar kriminal, që tani del i kryesuar… në fakt kryetar është Edi Rama, ‘Padrino’, por në arrest shtëpie është Vlora Hyseni“, tha ai.

/tvklan.al