Mazhoranca propozon ndryshimet në ligj

Betimi tek presidenti i Republikës nuk do të jetë më një detyrim për anëtarët e Gjykatës se Kushtetuese. Mazhoranca ka ndërmarrë një nismë ligjore për të shmangur ngërçin që krijoi rasti i Arta Vorpsit, e cila nuk u thirr nga kreu i shtetit për të bërë betimin dhe për pasojë nuk u pranua si anëtare e Gjykatës Kushtetuese.

Në propozimin që pritet të nis diskutimin në komisionin e ligjeve, si pjesë e ligjit për funksionimin e Gjykatës Kushtetuese, parashikohet qe të anashkalohet betimi në presidencë nëse kreu i shtetit brenda 10 ditëve nuk e zhvillon këtë ceremoni.

Nëse presidenti nuk e respekton ketë afat atëherë anëtari i ri i Gjykatës Kushtetuese mund ta kryejë betimin në formë shkresore dhe të vërë në dijeni kreun e shtetit dhe vetë Gjykatën. Kjo ishte pothuajse edhe procedura e ndjekur nga Arta Vorpsi, e cila e zyrtarizoi betimin tek një notere dhe e dorëzoi në Gjykatën Kushtetuese. 

Presidenti i Republikës organizon ceremoninë e betimit jo më vonë se 10 ditë nga data e zgjedhjes, emërimit ose shpalljes të emëruar të anëtarit të Gjykatës Kushtetuese. Nëse anëtari i Gjykatës Kushtetuese nuk thirret për të bërë betimin, pas përfundimit të këtij afati, ai kryen betimin në formë të shkruar  dhe ia dërgon atë Presidentit të Republikës, organit të emërtesës dhe Gjykatës Kushtetuese. Data e organizimit të ceremonisë së betimit ose data e dërgimit të betimit me shkrim, konsiderohet si dita e betimit dhe e fillimit të detyrës së gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese dhe përfshihet në dosjen e tij personale.

 Po ashtu ndryshime propozohen dhe për ligjin për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve po për ceremoninë e betimit për magjistratët, gjyqtarët e Gjykatës së Lartë dhe Prokurorinë e Përgjithshme apo anëtaret e organeve të reja të drejtësisë.

Në të gjitha rastet afati i çdo institucioni përkatës për ta zhvilluar këtë ceremoni është 10 ditë dhe përtej këtij afati çdo njëri nga të zgjedhurit mund ta dërgojë betimin me shkrim.

Për të sinkronizuar ndryshimet e nevojshme me ligjin e posaçëm për KÇK të kërkuar nga kryeministri, shumica propozon dispozinë kalimtare për Inspektoriatin e Lartë të Drejtësisë. 

Deri 6 muaj pas krijimit të këtij Inspektoriati shkeljet e magjistratëve, të ndiqen dhe hetohen nga Këshillat e Lartë të Prokurorisë dhe Gjyqësorit.

Tv Klan