Kreu i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Tedros Adhanom Ghebreyesus ka deklaruar se bota po përballet me sfida të frikshme, duke përfshirë Covid-in, luftën në Ukrainë dhe së fundmi linë e majmunëve e cila po përhapet në disa vende të botës.

Ghebreyesus po fliste në Gjenevë, ku ekspertët e agjencisë shëndetësore të OKB-së po diskutonin për shpërthimin e lisë së majmunëve në 15 vende jashtë Afrikës.

Ndërkohë, më shumë se 80 raste janë konfirmuar në Evropë, SHBA, Kanada, Australi dhe Izrael.

Megjithatë, rreziku për popullatën e gjerë thuhet të jetë i ulët. Lia e majmunit nuk ka tendencë që të përhapet lehëtësisht midis njerëzve. Sipas Shërbimit Shëndetësor Kombëtar të Mbretërisë së Bashkuar, shumica e njerëzve të cilët preken nga lija e majmunit shërohen brenda pak javësh.

Përhapja i ka habitur shkencëtarët dhe zyrtarët shëndetësorë në Mbretërinë e Bashkuar të cilët kanë dhënë këshilla të reja, duke thënë se kontaktet me rrezik të lartë të rasteve duhet të izolohen për tre javë. Të premten, Belgjika u bë vendi i parë që shpalli një karantinë tre-javore për personat e infektuar.

OBSH tha më herët se një numër i rasteve të tjera të dyshuara të lisë së majmunëve po hetoheshin, pa përmendur vendet e përfshira dhe paralajmëroi se më shumë raste kishte të ngjarë të konfirmoheshin./tvklan.al