Pas ndeshjeve hapëse të zhvilluara në Meksikë, që shënuan nisjen zyrtare të Kupës së Botës 2026, sot vëmendja përqendrohet te dy organizatorët e tjerë të turneut.
Kanadaja dhe Shtetet e Bashkuara do të bëjnë debutimin e tyre në këtë edicion të Botërorit, me synimin për ta nisur me fitore rrugëtimin para publikut vendas.
Në orën 21:00, Kanadaja përballet me Bosnje-Hercegovinën në Toronto, në ndeshjen e parë të Grupit B. Për kanadezët, kjo sfidë ka një domethënie të veçantë, pasi është ndeshja e parë e luajtur në shtëpi në historinë e tyre në një Kampionat Botëror.
E udhëhequr nga një brez i talentuar futbollistësh dhe e mbështetur nga tifozët vendas, Kanadaja synon të përfitojë nga faktori fushë për të hedhur një hap të rëndësishëm drejt kualifikimit.
Në anën tjetër, Bosnje-Hercegovina kërkon të nisë me rezultat pozitiv pjesëmarrjen e saj në grup dhe të konfirmojë progresin e treguar gjatë eliminatoreve.
Më pas, në orën 03:00, vëmendja zhvendoset në Los Anxhelos, ku Shtetet e Bashkuara përballen me Paraguajin në takimin e parë të Grupit D.
Amerikanët, një prej favoritëve për të avancuar nga grupi, synojnë të shfrytëzojnë mbështetjen e publikut vendas për të marrë tre pikët e para.
Ndërkohë, Paraguaji rikthehet në skenën botërore pas një mungese të gjatë dhe synon të surprizojë që në ndeshjen e debutimit.
Kupa e Botës 2026 është edicioni i parë në histori me 48 kombëtare pjesëmarrëse dhe organizohet për herë të parë nga tre vende njëkohësisht: Kanadaja, Shtetet e Bashkuara dhe Meksika. Ndeshjet transmetohen falas dhe ekskluzivisht në televizionin Klan dhe Klan Plus.
Klan News
/tvklan.al












Botërori 2026 
