20 nëntor 2026 – Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka reaguar lidhur me gjendjen shëndetësore të Erion Veliajt.

Sipas njoftimit zyrtar, kryebashkiaku i Tiranës do i nënshtrohet ndërhyrjes kirurgjikale në këmbë, ditën e hënë të 23 nëntorit.

“Ndërhyrja kirurgjikale për pacientin z. Erion Veliaj parashikohet të kryhet ditën e hënë, datë 23.11.2026, në Spitalin Rajonal Memorial Fier. Për këtë qëllim, pacienti duhet të paraqitet në spital ditën e diel, datë 22.11.2026, për kryerjen e procedurave preoperatore (konsultat dhe analizat laboratorike)”, thuhet në njoftim.

“Burgjet” sqarojnë se Veliajt i është dhënë mundësia që mjeku i zgjedhur prej tij të jetë i pranishëm gjatë përgatitjeve për operacionin më 22 nëntor, gjatë ndërhyrjes më 23 nëntor ose në të dyja ditët.

Sipas Drejtorisë, ky mjek nuk u paraqit më 18 nëntor në burgun e Fierit, ku i ishte krijuar mundësia të vizitonte Veliajn dhe të shqyrtonte dokumentacionin e tij mjekësor.

“Në këtë kuadër, duke qenë se mjeku specialist i përzgjedhur nga pacienti nuk është paraqitur në konsultën e datës 18.11.2026, mbetet në vlerësimin e pacientit dhe të përfaqësuesve të tij mundësia e pranisë së këtij mjeku më datë 22.11.2026, gjatë kryerjes së procedurave preoperatore, dhe/ose më datë 23.11.2026, në ditën e planifikuar për ndërhyrjen kirurgjikale pranë Spitalit Rajonal Memorial Fier”, specifikohet më tej.

Ndryshe nga ajo që kërkoi Veliaj në letrën drejtuar ish-numrit dy të qeverisë, Belinda Balluku, aktualisht drejtuesja politike e PS në qarkun e Fierit, që operacioni të kryhej në Tiranë në prani të familjarëve, ndërhyrja do të bëhet në Spitalin e Fierit.

“Ju kërkoj të aprovoni operacionin tim në Tiranë, pranë mjekut tim dhe familjes sime“, shkroi Veliaj.

Sipas njoftimit zyrtar të Burgjeve, Veliaj është ndjekur rregullisht nga stafi mjekësor i burgut të Fierit dhe se është konstatuar një dëmtim në kavilje. Po ashtu, theksohet se Veliaj do të duhet t’i nënshtrohet edhe një sërë seancave fizioterapike.

“Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve sqaron se që në momentin e pranimit në IEVP Fier, shtetasi E.V. është konsultuar nga stafi shëndetësor i institucionit, ku ka referuar për një dëmtim të kavilies. Që prej këtij momenti, situata shëndetësore është ndjekur nga strukturat përkatëse, duke ndërmarrë veprimet e nevojshme për vlerësimin dhe trajtimin e saj”, shkruhet në njoftim.

Erion Veliaj, kryetari i Bashkisë së Tiranës, u arrestua më 10 shkurt 2025, me urdhër të SPAK-ut, në kuadër të hetimeve për dyshime mbi korrupsionin dhe pastrimin e parave. Hetimi lidhej gjithashtu me aktivitetin financiar të bashkëshortes së tij, Ajola Xoxa. Më 23 korrik të atij viti, iu komunikuan zyrtarisht akuzat, ndërsa më 9 shkurt të 2026-ës, çështja e kryebashkiakut kaloi për gjykim në themel.

Pas një ‘sage’ me seanca gjyqësore, që hera-herës edhe janë zvarritur, apo kërkesa që janë hedhur poshtë, Veliaj u transferua në paraburgimin e Fierit rreth 23 ditë më parë.

Ishte pikërisht ky moment që shënoi një tjetër ‘kthesë’.

Krahas betejës ligjore, Veliaj ka nisur të artikulojë publikisht qëndrimet dhe kritikat e tij ndaj kryeministrit të vendit, Edi Rama. Pikënisja ishte vizita e ministrit të Drejtësisë Toni Gogu në ambientet ku ai ndodhet aktualisht. Sipas Veliajt, Gogu në rolin e “lajmësit”, i ka përcjellë ato që ai i quan shantazhe të kreut të qeverisë. Të qartë e ka bërë se nuk intimidohet nga Rama dhe se “nuk do t’i delegojë kompentencat e detyrës që mban”, edhe pse ndodhet pas hekurave.

Kërkoi me ngulm që të ishte pjesë fizikisht apo përmes një video-konference gjatë punimeve të Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste, por në vend të një “Po”-je, u la jashtë strukturave drejtuese të partisë, duke ruajtur vetëm statusin e anëtarit të thjeshtë.

Zhvillimi më i fundit, ishte letra që Veliaj i ka dërguar Ballukut, siç e specifikuam më lart.