Adnan Xholi, një nga tre kandidatët për t’u bërë kreu i SPAK, u gjend përpara pyetjes se cilat janë pikat e tij të dobëta ndaj vetes dhe prokurorisë së posaçme të cilat do  i përmirësojë. Ai u shpreh se për shkak të përvojës disavjeçare si prokuror, pika e dobët është skepticizmi.

“Sikundër dihet tashmë prokurorët e prokurorisë së posaçme përfaqësojnë akuzën në tre shkallët e gjykimit dhe do duhet që krahas hetimit, të angazhohet dhe në gjykim sepse përfaqësimi i akuzës është diçka thelbësore. Dhe për të përfaqësuar një çështje të suksesshme, do duhet që të kesh një hetim të suksesshëm, hetim të cilin pavarësisht se prokurori ka rolin kryesor, drejton dhe kontrollon hetimet, e ka të pamundur që t’i kryejë 100% të veprimeve hetimore dhe krahu i tij i djathtë janë strukturat e oficerëve, të policisë gjyqësore dhe oficerëve të Byrosë Kombëtare të Hetimit.

Jam koshient që pjesa e oficerëve të Byrosë Kombëtare të Hetimit, pjesa dërrmuese nuk vijnë nga radhët e Prokurorisë apo Policisë së Shtetit, vijnë nga institucione të tjera të cilat nuk e kanë patur eksperiencën e duhur profesionale që mund të ndihmonte. Por kanë diçka të veçantë, që këto kanë vullnetin për të punuar dhe dëshirën për të mësuar dhe gjithsecili nga prokurorët ka marrë përsipër dhe unë me cilësinë e prokurorit apo drejtuesit që të shtoj më tej aftësitë e tyre profesionale pikërisht për shkak të këtyre cilësive që do na duhet të mbledhim prova të pakundërshtueshme që të vemi përpara gjykatës dhe të mos riskojmë pafajësi dhe mandej pastaj të shkelen të drejtat dhe liritë themelore të njeriut.

Pika ime e dobët, e thashë në fjalën time, e përmendët edhe ju që kam 24 vite si prokuror, jam shumë skeptik që unë të vete para gjykatës sidomos në rastet e krimit të organizuar për korrupsionin duke u marrë vetëm me pikën fundore. Do desha që jo para dyerve të drejtësisë të venë ai që është hallka më e hollë, pika më e dobët e sistemit, por të gjendet kush është organizatori, financuesi, ekzekutori, porositësi dhe udhëheqësi i një veprimtarie të paligjshme kriminale dhe mbase hetimet nuk mbyllen brenda ditës, por derisa të arrij që ta zbërthej këtë skemë, unë do të dal me rezultate konkrete. Kjo është pika ime e dobët dhe nuk mund ta ndryshoj falë përvojës time disavjeçare”, tha Xholi./tvklan.al