Bordi vendos çmimin 265 lekë për litër

Pikat e karburanteve e ndryshuan sërish tabelën e çmimeve këtë premte, duke reflektuar një tjetër rritje të çmimit të naftës ne vend. Këtë herë edhe 7 lekë me shumë.

“Duke nisur nga ora 18:00 e së premtes drejtuesit e automjeteve do të paguajnë 265 lekë për 1 litër naftë. Ky është vendimi më i fundit i Bordit të Transparencës duke përcaktuar edhe rekordin më të lartë historik të çmimit të naftës në Shqipëri”, raporton gazetarja Rashela Shehu.

Ndërsa një litër benzinë do të tregtohet për 241 lekë/litri, 2 lekë më pak. Çmimi gazit nuk ndryshon. Në pikat e karburanteve një litër gaz do të blihet për 86 Lekë. Në Mars të këtij viti, fill pas nisjes së konfliktit mes Rusisë dhe Ukrainës, çmimi i naftës preku vlerën e 260 lekëve që ishte edhe çmimi më i lartë i tregtimit të naftës në Shqipëri në dekadat e fundit.

Për këtë u ngrit edhe Bordi i Transparencës që do tëpasqyronte çmimet e reja për konsumatorët në varësi të luhatjes së kostos së tij në tregjet ndërkombëtare.

Kjo rritje prej 7 lekësh për naftën vjen në një moment kur në bursat ndërkombëtare çmimi i arit të zi ra në 112 Dollarë për fuçi, duke shënuar vlerën më të ulët që prej fillimit të Qershorit.

Tv Klan

/tvklan.al