Një operacion ndërkombëtar i quajtur “Ura” në Shqipëri e Itali ka goditur një grup të fuqishëm kriminal me bazë në zonën e Shijakut, që merrej me trafikim të drogave të forta e pastrim parash.
Siç u bë me dije këtë të mërkurë, në konferencën e përbashkët ku mori pjesë kreu i Strukturës së Posaçme Antikorrupsion Altin Dumani, kryeprokurori i Barit Roberto Rossi, Drejtori i Antimafies italiane Michele Carbone e përfaqësuesi i Eurojust për Italinë Gianluca Forlani, janë lëshuar 51 masa sigurie dhe një urdhër ndalimi. Në total, janë ekzekutuar 42 prej tyre. Në vendin tonë janë lëshuar 29 masa sigurie ku përfshihen edhe ato ndaj dy punonjësve të policisë, një avokati në Durrës dhe një biznesmeni.
Dumani: U godit një nga grupet më të rrezikshme
Kreu i SPAK, Altin Dumani, theksoi se falë bashkëpunimit me institucionet italiane është goditur një prej grupeve më të fuqishme kriminale në vend.
“Është një nga grupet më të rrezikshme qoftë nga pushteti financiar, aftësia për të trafikuar sasi të mëdha droge e për ta shpërndarë në Evropë. Qendra e grupit, qyteti i Durrësit. Sa u takon emrave, ne kemi politikë që s’japim gjeneralitete të personave ndaj të cilëve është lëshuar masë sigurie. Ky operacion, është dëshmi e qartë e asaj që mund të arrihet kur institucionet e drejtësisë dhe strukturat e zbatimit të ligjit bashkëpunojnë me përkushtim. Një falenderim të veçantë për Eurojust dhe Europol për mbështetjen gjatë hetimeve të kryera, me Prokurorinë e Barit”, deklaroi ai në nisje të konferencës. (Lexo më shumë)
Kryeprokurori i Barit e quan mafien shqiptare, forcë shumë të madhe ndërkombëtare
Teksa vlerësoi punën e SPAK, kryeprokurori i Barit, Roberto Rossi, e cilësoi mafian shqiptare një “forcë të madhe ndërkombëtare që duhet luftuar”.
“Kjo forcë e përbashkët është shumë e rëndësishme! Për fat të keq, mafia shqiptare është forcë ndërkombëtare shumë e madhe, por jemi të sigurt që populli shqiptar me anë të Prokurorisë e gjykatave shqiptare do jetë në gjendje ta luftojë këtë tumor”, theksoi ai. (Lexo më shumë)
Kontakte deri në Amerikën e Jugut
Sipas Drejtorit të Antimafies italiane, Michele Carbone, anëtarët e këtij grupi kriminal kishin kontakte përtej Shqipërisë e Italisë. “Ka kontakte që shkojnë përtej vendeve tona, me Europën e Veriut, Amerika e Jugut, por edhe vende të tjera. Nëse rezultatet e djeshme u realizuan është sepse ka pasur një punë të rëndësishme skuadre që ka pasur si aktorë jo vetëm policinë gjyqësore, por dhe kolegët e policisë shqiptare”, tha Carbone. (Lexo më shumë)
30 episode trafiku me vlerë 5 mln euro
Prokurori i posaçëm, Vladimir Mara, deklaroi se janë evidentuar 30 episode të qarkullimit të parave nga Italia dhe vendet e BE-së drejt Shqipërisë në një vlerë gati 5 milionë euro. Siç bëri me dije prokurori Mara, përveç trafikimit të lëndëve narkotike janë dokumentuar edhe vepra korruptive në Shqipëri. (Lexo më shumë)
Sekuestrimet
Këtë të mërkurë janë ekzekutuar vendimet e gjykatës për sekuestrimin e disa pasurive, që dyshohet se janë përdorur për pastrimin e parave të ardhura nga aktiviteti kriminal. Bëhet fjalë për tre restorante në Durrës, një bar-kafe, gjashtë shoqëri tregtare dhe një televizion në qytetin e Vlorës. Në total është sekuestruar droga me vlerë 4.5 mln euro dhe rreth 7 milion euro asete e para cash. Sekuestrime që janë kryer përgjatë pesë viteve të fundit. (Lexo më shumë)
349 policë shqiptarë në aksion
Në operacionin ndërkombëtar Shqipëri-Itali janë përfshirë 349 punonjës të policisë së vendit tonë. Kështu bëri me dije Kreu i Policisë së Shtetit, Ilir Proda, në konferencën e përbashkët me kreun e SPAK Altin Dumani, kryeprokurorin e Barit Roberto Rossi e zyrtarë të tjerë të lartë të të dyja vendeve.
Kanë marrë pjesë 40 hetues të BKH-së, që kanë ekzekutuar më 20 e 21 maj 2025, masat e sigurisë në disa qytete të Shqipërisë.
Paratë e drogës me autobus
Pakot me para të përftuara nga aktiviteti kriminal janë transportuar nga Bari i Italisë në Shqipëri, përmes agjencive të transportit me autobus. Kjo lloj “skeme” është zbërthyer përmes pamjeve filmike, lokalizimeve me GPS apo chat-eve. Përpos parave, janë transportuar edhe sasi të lëndës narkotike e letra të shkruara me shkrim dore për të dhënat ekonomike të grupit.
Kanë qenë edhe përgjimet në platformën e enkriptuar Sky ECC që i kanë ndihmuar hetuesit të rindërtojnë një panoramë të qartë të organizimit të grupit kriminal. (Lexo më shumë)
Dy policët shqiptarë, pjesë e grupit
Mes personave të arrestuar ka edhe dy policë, njëri polic kufiri e tjetri shef aksioni. “Njëri prej tyre ka qenë i përfshirë si pjesë e grupit të strukturuar kriminal. Ndërsa punonjësi tjetër ka të bëjë me një episod të korrupsionit”, tha prokurori Mara, duke theksuar se arrestimi i tyre nuk mund të përbaltë punën e 13 mijë të tjerëve.
“Policia e Shtetit është në dijeninë time 13 mijë e më shumë persona, ka njerëz shumë të ndershëm, dhe nuk mund të përbaltim as me një as me dy as me dhjetë punonjës policie të përfshirë, por çdo ditë në hetimet tona mundohemi që edhe deri diku të pastrojmë radhët tona nga elementë kriminalë, duke përfshirë edhe Policinë e Shtetit”, u shpreh ai…(Lexo më shumë)
Ndërkohë, kreu i SPAK, theksoi se korrupsioni është një “plagë” që prek çdo institucion, duke shtuar se pavarësisht kësaj, bashkëpunimi mes Strukturës së Posaçme Antikorrupsion dhe Policisë së Shtetit është mjaft i ngushtë.
Kur nisi aktiviteti kriminal
Në bazë të të dhënave të administruara nga hetimi, rezulton se grupi kriminal e ka nisur aktivitetin e vet nga viti 2020 deri në 2025-ën.
Dumani: “Ura” s’ka të bëjë fare me zgjedhjet
Në mbyllje të konferencës, kreu i SPAK, Altin Dumani u pyet se pse ky operacion u zhvillua pas zgjedhjeve parlamentare të 11 majit. Ai e mohoi në mënyrë absolute që “Ura” të ketë ndonjë lidhje me procesin zgjedhor, ndërsa theksoi se data e aksionit policor është dakordësuar mes Policisë italiane dhe Eurojust.
Pamjet e operacionit, eurot në stivë e kokaina me logo
Drejtoria e Antimafias së Barit ka bërë publike pamjet nga operacioni i madh i koduar “Ura” kundër trafikut ndërkombëtar të drogës. Siç duket nga pamjet e shpërndara nga autoritetet italiane është sekuestruar një sasi e madhe parash, të ndara në pako me prerje të ndryshme, nga 100, 50, 20 dhe 10 Euro…Lexo më shumë
Nga “Revanshi” te “Ura”
Siç raporton gazetarja e Klan News Glidona Daci, mes personave ndaj të cilëve është lëshuar urdhër-arrest në vendin tonë, janë eksponentë të njohur të krimit. Dy prej tyre datojnë që nga operacioni “Revanshi” dhe aktualisht janë në kërkim nga drejtësia shqiptare. Gjatë këtij operacioni të mëhershëm, u sekuestruan tre milion euro, kohë kur u firmosën 50 urdhër-arreste.
Grupi në fjalë përbëhet nga disa nëngrupe kriminale që merreshin me trafikim të kokainës e cila vinte nga vendet e Amerikës Latine, kryesisht nga Ekuadori. Paratë e fituara prej këtij aktiviteti kriminal, investoheshin më pas në vend. (Lexo më shumë)
E.D/tvklan.al