Në 9 Shtator në emisionin “Stop” në Tv Klan është transmetuar rasti i investigimit në Memaliaj, për një ngacmim seksual të pretenduar në Qershor 2018. Mësuesi Mysret Dida është akuzuar të ketë ngacmuar seksualisht nxënësen e tij që në moshën 8-vjeçare.

Vajza me incialet A.M aktualisht 14 vjeç dhe me probleme autizmi ka vështirësi në komunikim. Gjithçka nisi nga një telefonatë anonime e një burri në shtëpinë e vajzës. Telefonuesi deklaroi, se mësuesi po abuzonte me fëmijët e klasës kolektive, ku jepte mësim dhe me vajzën e shtëpisë.

Prindërit e vajzës shkuan në policinë e Tepelenës dhe bënë kallëzim për mësuesin. Pas kontrollit mjeko-ligjor, gjinekologjik, vajza nuk ishte e defloruar.

“Stop” arriti që të marrë dhe dëshminë e mësuesit Mysret Dida, i cili hodhi poshtë çdo akuzë duke kërkuar të dënohet edhe me varje, nëse i ka prekur vajzës një fije floku.”Stop” sjell sot të tjera detaje, që çojnë në përfundimin, se akuza ndaj mësuesit është e sajuar.

Psikologia Enkelejda Gjozaj ka konstatuar që në kokën e vajzës ndodhet një kist dhe e ka referuar rastin edhe pranë gjykatës, por edhe pranë specialistëve përkatës për të kuptuar që ky kist ka lindur pas pretendimit të abuzimit, apo vajza ka lindur me këtë problem në kokë.

Gjithashtu grupi i ekspertëve pranë KMCAP-it rajonal Gjirokastër kanë konstatuar praninë e kistit në kokën e vajzës, ku specialistët e kanë referuar rastin dhe sot vajza trajtohet me kemp. Sot prokuroria dhe gjykata e Gjirokastrës duhet t’i shkojë deri në fund ekzaminimit mjekësor për të kuptuar që ky kist ka qenë që në lindje të vajzës apo është shkaktuar pas traumës ku pretendohet që ajo mund të jetë abuzuar nga mësuesi i saj. Pa u analizuar ky fakt tepër domethënës deklaratat e vajzës nuk mund të merren për bazë dhe nuk janë të sakta dhe nuk mund të akuzohet një person vetëm me një telefonatë anonim. /tvklan.al