Komedia “Dashuri, paqe, para” solli humor, të qeshura dhe situata të papritura për publikun lezhjan.

Vepra me regji të Edison Lleshit u ngjit në skenën e Pallatit të Kulturës, duke tërhequr interesin e artdashësve, të cilët mbushën sallën për të ndjekur historinë e veçantë ku ndërthuren dashuria, marrëdhëniet njerëzore dhe paraja.

Në qendër të veprës janë tre personazhe, Burri, Gruaja dhe Dashnori, të cilët përmes situatave komike, ngjarjeve të papritura dhe marrëdhënieve të ndërlikuara, sjellin një histori ku ndërthuren dashuria, paqja dhe paraja.

Një kombinim që e kthen përditshmërinë njerëzore në një komedi plot batuta dhe momente gazmore. Për aktorët, pritja e publikut dhe reagimi i tij gjatë shfaqjes ishin tregues se komedia i përmbushi pritshmëritë.

Regjisori Edison Lleshi thote se vënia në skenë e kësaj komedie ka qenë rezultat i një pune të gjatë dhe angazhimi të gjithë trupës artistike, ndërsa shfaqja do të udhëtojë edhe në qytete të tjera të Shqipërisë, përfshirë edhe kryeqytetin.

Realizimi i komedisë “Dashuri, paqe, para” është mbështetur nga Bashkia Lezhë, përmes Thirrjes për Projekte Kulturore, në kuadër të nismave për të nxitur krijimtarinë artistike dhe për të pasuruar jetën kulturore të qytetit.

Klan News

/tvklan.al