Dëbim i menjëhershëm nga Italia dhe ndalim për të hyrë në zonën Shengen për 10 vjet. Ishte ky urdhri për 33-vjeçarin shqiptar, Shaban Çaça, i cili akuzohet nga autoritetet në vendin fqinj për ekstremizëm fetar.

Autoritetet italiane urdhëruan largimin e tij nga vendi, pasi konsiderohej element tejet i rrezikshëm. Ai u shoqërua në territorin shqiptar dhe u kthye në Kavajë, qytetin e tij të lindjes.

Sipas mediave në vendin fqinj, shqiptari me banim në Padova shkruante në Facebook mesazhe kundër Krishtlindjeve dhe  kishte shprehur mbështetje për sulmet e ISIS në Francë.

Por në një prononcim për Televizionin Klan, Shaban Çaça mohon të jetë një radikalist dhe përhapës i urrejtjes fetare.

“Nuk ka asnjë argument në ato akuza dhe unë mohoj çdo gjë që është thënë në emrin tim. Si nga akuza që ka ardhur në rastin e policëve në Itali, po ashtu edhe akuzat që më janë bërë në media, ose më saktë lajmet që kanë dalë në media, që janë krejt të pavërteta, përsa i përket situatës time”.

Pas dëbimit të shqiptarit reagoi edhe Ministri i Brendshëm italian, Mateo Salvini.

“Në Itali nuk ka më hapësirë për ata që përpiqen të sjellin luftën në shtëpinë tonë”,

tha Salvini. Por Çaça tha se i vinte për të qeshur nga këto deklarata.

Tv Klan