Strakosha lë fushën, por “kundërshtarët” flasin për Covid-19

I trembeshin të gjithë dhe në fakt kështu ndodhi! Rikthimi në fushën stërvitore ka shkaktuar problemet e para tek lojtarët elitarë të futbollit Europian.

Portieri i kombëtares shqiptare, Thomas Strakosha është larguar duke çaluar nga stërvitja e zhvilluar dje me Lazion, duke ngritur dyshime nëse do të jetë në fushë në takimin e parë pas karantinës për të kaltrit.

Dëmtim që klubi e ka cilësuar si të rikuperueshëm, por në Itali kanë nisur të aludojnë për një tjetër shkak.

Ish-sulmuesi i Torinos dhe Barit, Massimo Brambati ka deklaruar se klubi po e fsheh të vërtetën dhe se gardiani kuqezi është i infektuar nga Covid-19.

Madje ai shkon edhe më tej, teksa shton se me virusin e ri është i infektuar dhe një futbollist i Milanit, Franck Kessie. Mesfushori gjendet larg fushave të lojës për shkak dëmtimi dhe në infermieri i është bashkuar dhe sulmuesi Zlatan Ibrahimoviç.

Stafi mjekësor i kuqezinjve njofton se suedezi është i dëmtuar në thembër, por nëse Kessie është i infektuar me Covid nuk përjashtohet mundësia që t’ia ketë ngjitur dhe Ibrahimoviçit.

Gjithsesi konstatimi mbetet ende në kuadër të thashethemeve dhe shpresojmë që të dy lojtarët t’i shikojmë sa më shpejt në fushën e blertë.

Klan Plus